“Po vettingun e barinjve kur do e bëni?”, Basha: S’kemi votat, por vullnetin (VIDEO)

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi në foltoren e Kuvendit se Shqipëria duhet të ndjekë modelin e Kosovës për subvencionimin e fermerëve. Basha u shpreh se sistemi i shëndetësisë është futur në kolaps, duke shtuar se qeveria ka fshehur 16 mijë vdekje nga COVID.

“Mund të jepej një paketë subvencionesh për fermerët shqiptarë të paktën sa paketa që marrin fermerët e Kosovës. Nuk po them të shkojmë te Maqedonia e Veriut. Kosova arrin të subvencionojë me të paktën 100 mln euro fermerët e vet. Prodhimet në Kosovë nuk derdhen rrugëve. Shiten në tregun e Kosovës dhe konkurrojnë edhe në tregun e Shqipërisë.

Çfarë mund të bëhej për pronarët e ligjshëm që i ke shpronësuar për herë të dytë. Sistemin e shëndetësisë e ke futur në kolapsin më të madh të 30 viteve. Nëse fati na ka sjellë të dy brenda një kohe jo shumë të gjatë për të humbur të afërmit tanë dhe ke parë parcelat ku prehen ata që kanë humbur jetën nga COVID. Ke 16 mijë të vdekur më shumë që ti i fsheh”, u shpreh ai.

“Unë nuk kam ndërmend ta kap këtë dem prej këmbësh. Të ka kapur ai që të ka sjellë prej thonjsh dhe këmbësh. Po vazhdon t’u heqësh edhe lëkurën shqiptarëve. Insistoj që demi duhet kapur prej brirësh. Që buxheti t’u shërbejë shqiptarëve. Ata që hartojnë këtë buxhet të mos jenë të burgosur të vullnetit të një grupi oligarkësh.

Ne nuk i kemi votat por e kemi vullnetin. Ndaj jua kemi sjellë projektin mbi tavolinë për vettingun e politikanëve. Ndonjë ditë do na sjellë edhe vettingun e barinjve këtu. Por pse nuk e pranon vettingun e politikanëve? Shkëputu njëherë nga oligarkët dhe ligjet me porosi të tyre që sjell në këtë kuvend. Duhet t’i bindesh një gjykimi të pavarur që të ftoj ta gjykosh. Që kontrolli të nisë nga kryetari i opozitës”, tha Basha.


Shtuar 16.11.2021 18:54