Po pastronte armën, burri vret aksidentalisht gruan në Mirditë

Foto ilustruese

Një ngjarje ka ndodhur ditën e sotme në Mirditë ku shtetasi Paulin Pacuku ka vrarë aksidentalisht gruan e tij.

Mësohet se 61-vjecari po pastronte armën por ajo është shkrepur aksidentalisht duke lënë të vdekur në vend shtetasen Vitore Pacukun 54 vjeçe.

Njoftim policie

Spitali Rajonal Rrëshen ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Mirditë, se ishte dërguar nga të afërmit e saj, për ndihmë mjekësore, shtetasja V. P., e plagosur me armë zjarri, e cila si pasojë e dëmtimeve kishte humbur jetën.

Nga verifikimet paraprake të kryera nga shërbimet e Policisë, dyshohet se në fshatin Jezull, Mirditë, në banesë, shtetasi P. P., 61 vjeç, duke pastruar një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar aksidentalisht bashkëshorten e tij, shtetasen V. P., 54 vjeçe, e cila është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, nga të afërmit e saj, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Shtetasi P. P. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e proves materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon punën në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./albeu.com


Shtuar 21.08.2022 12:43