Po ndërtonin pa leje në një tokë publike në Finiq, arrestohet pronarja dhe dy të punëtorët

Policia në Sarandë ka arrestuar 3 persona për ndërtim pa leje në tokë publike. Në pranga ka rënë pronarja dhe dy punëtorë.

Njoftimi i policisë:

Finiq, Sarandë

U konstatuan duke ndërtuar pa leje, në tokë publike, arrestohen në flagrancë pronarja e objektit dhe 2 shtetas që po kryenin punimet.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë gjatë kontrollit të territorit në fshatin Cerkovicë, Finiq, kanë konstatuar ndërtimin e një objekti pa leje.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, i shtetasve:

E. K., 65 vjeçe, banuese në Sarandë (pronarja e objektit);

I. I., 60 vjeç dhe A. O., 62 vjeç, të dy banues në Sarandë (punëtorë).

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në fshatin Cerkovicë, Finiq, u kapën në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa leje nga autoritetet kompentete, në tokë publike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 15.06.2021 08:37