Replika të ashpra kanë ndodhur ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës mes ministres Donika Gërvalla dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri lidhur me Gjykatën Speciale.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia, por është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë iu drejtua deputetëve të PDK-së “fajtor jeni ju”.
Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se Gërvalla është përfaqësuese e Serbisë në Kosovë dhe se është turpi i diplomacisë.
Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit, për çka LDK lëshoi seancën. Pas LDK-së edhe deputetët e PDK-së lëshuan sallën.
Gjatë largimit të deputetëve të PDK-së, në derën e sallës së Kuvendit, pati një tentim për përleshje mes deputetit Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati nga PDK-ja me ministrin Faton Peci.
Pas replikave të ashpra mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës, kryetarja Saranda Bogujevci kërkoi pauzë deri në ora 12:00.