Planifikuan vrasjen e Inez Hajrullës, goditet “trekëndëshi” kriminal në Vlorë, arrestohet 35-vjeçari me tre identitete

Një tentativë për të kryer vrasje gushtin e kaluar në Vlorë, ku ra në pranga Amarildo Nikolli nga Shkodra, me armën gati për të kryer një ekzekutim, ka çuar Prokurorinë e Posaçme në një tjetër operacion.

Gjatë operacionit të koduar “Trekëndëshi” është arrestuar nga policia me urdhër të SPAK Muharem Koroveshi i njohur dhe me mbiemrat Ismaili dhe Myftaraj, ndërsa u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, me të cilët dyshohet se planifikoi atentatin ndaj Inez Hajrullës në Vlorë.

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën se ka ekzekutuar urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme, në muajin shkurt të këtij viti, pasi dyshohet se këta persona kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasje ndërsa akuzohen për një sërë veprash të tjera penale si grup i strukturuar kriminal.

Operacioni “Trekëndëshi” është drejtuar nga SPAK, teksa nuk jepen të dhëna zyrtare se kush ishte objektivi, apo rrethanat hetimore.

Burimet bëjnë me dije, se tentativa për vrasje ka ndodhur verën e kaluar, ku në atë kohë u arrestua Amarildo Nikolla me pistoletë me silenciator gati për qitje, ndërsa dosja iu referua SPAK për kompetencë pasi u gjetën elementë të grupit të strukturuar kriminal.

Amarildo Nikolli dyshohet të jetë pajtuar si vrasës me pagesë, me precedentë të mëparshëm në Itali, ndërsa në Shqipëri nuk ishte i skeduar. Ai është arrestuar në ambientet e një pastiçerie që ndodhet afër kompleksit “Oslo” në Vlorë, zonë kjo ku vepron grupi i Edison Harizajt, ndërsa në atë kohë dyshimet ishin se në shënjestër të atentatit ishte Inez Hajrulla.

Njoftimi i policisë

Zhvillohet nën drejtimin e SPAK-ut operacioni policor i koduar “Trekëndëshi”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë,

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.