Plagosja në Berat/ Bënin sherr me një çift, 3 vëllezërit tentuan t’i marrin armën policit

Një polic 24 vjeçar u plagos sot në Berat pasi ndërhyu të shuante sherrin mes 3 vëllezerve dhe një çifti.

Sot rreth orës 20:20,  ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative  se në lagjen “Dëshmorët e Kombit”  shtetasit G.M., M.M. dhe A.M (vëllezër) po konfliktoheshin me shtetasit A.M dhe bashkëshorten e tij shtetasen O.M .

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë  ku  kanë ndërhyrë për shuarjen e konfliktit.

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, tre vëllezërit  kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit  njërit prej  punonjësve të policisë dhe  gjatë konfrontimit fizik  dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë J.Xh, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Berat, nën kujdesin e mjekëve.

Nga shërbimet e policisë është bërë, neutralizimi dhe shoqërimi i personave në konflikt dhe  është siguruar vendi ngjarjes.

Është krijuar menjëherë një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, vijon puna intensive për  sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shtuar 14.04.2021 22:05