Plagosja me armë në zyrën e PD në Kavajë, shpallen në kërkim tre persona

Policia ka shpallur në kërkim tre persona në lidhje me plagosjen e sekretarit të PD, Bledar Okshtuni në zyrën elektorale në Kavajë.

Përveç Ndriçim Jonuzit (Tahirit) i cili qëlloi me pistoletë në kembë Bledar Okshtunin janë shpallur në kërkim edhe 29 vjeçarët Dorjan Troplini dhe Markel Shtylla.

Mësohet se Troplini dhe Shtylla kanë qenë të parët që kanë nisur sherrin. Kanë hyrë në zyrën elektorale dhe e kanë dhunuar me grushte. Me pas ka ardhur Jonuzaj dhe e ka qëlluar me pistoletë.

NGJARJA

Dje, rreth orës 17:40, shtetasi i identifikuar si Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, me mbiemër të ndryshuar, futet në zyrën elektorale të Partisë Demokratike në lagjen Nr. 4 dhe pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në këmbë shtetasin Bledar Okshtuni, 27 vjeç.

Shtetasi Ndriçim Jonuzi, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të kësaj zyre elektorale dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin Bledar Okshtuni, 27 vjeç. Sipas policisë, mësohet se Jonuzi e ka ndjekur 27-vjeçarin derisa e ka plagosur brenda zyrës elektorale të PD-së dhe më pas është larguar i qetë nga vendi i ngjarjes.

Në një video të publikuar në media, autori i dyshuar shfaqet i qetë në momentet e para pas kryerjes së krimit, teksa del nga zyra elektorale e PD-së i pashqetësuar nga askush edhe pse vendi ishte plot me qytetarë. Ai futet në një mjet tip fuoristradë ngjyrë e zezë në vendin e pasagjerit dhe më pas largohet. Pas tij, nga zyra elektorale del edhe i plagosuri, Bledar Okshtuni, të cilin e mbajnë në krahë dy djem të tjerë teksa e shoqërojnë drejt një mjeti ngjyrë gri për ta dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Forcat e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku pasi u bë këqyrja e vendit, shpalli në kërkim shtetasin Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, si të dyshuar për plagosje me armë zjarri. Strukturat vendore të Policisë së Kavajës ngritën menjëherë pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit për kapjen e autorit.

Policia në njoftimin e saj thotë se 27-vjeçari Bledar Okshtuni u plagos me një plumb në këmbë dhe fatmirësisht, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana e saj, Policia ka marrë në pyetje disa dëshmitarë të cilët ndodheshin në vendngjarje në momentin që nisi konflikti që përfundoi me përdorimin e armës dhe plagosjen e 27-vjeçarit.


Shtuar 20.04.2021 09:17