Plagë në kraharor, qafë e krah, Andrea Kalemi i shpëton sërish vdekjes në burgun grek, Dyshimet se autori egjiptian u pagua për ta sulmuar

Andrea Kalemi nga Memaliaj, ka arritur t’i shpëtojë një tjetër sulmi në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë, ndërsa një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.

51 vjeçari i cili njihet edhe si Adriatik Kalemi thuhet se u plagos rreth datave 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet e para janë hedhur mbi pistën e një tentative për vrasje me pagesë.

Kalemi ka marrë plagë në kraharor, qafë e krah dhe u transportua në spitalin e burgut ku mori ndihmën e parë. Sapo kanë parë skenën, të burgosur të tjerë kanë goditur 28 vjeçarin, i cili ka marrë plagë në kokë dhe trup.

Këtij të fundit, gardianët i kanë sekuestruar një thikë dhe një celular të thyer. Ashtu si Kalemi, edhe autori është transportuar në klinikën e burgut për të marrë ndihmën e parë. Mësohet se ngjarja është shënuar vetëm pak ditë para se Kalemi të lirohej nga burgu dhe nuk dihet nëse autori ka pritur pikërisht këtë çast. Megjithatë burime jo zyrtare konfirmojnë se pas daljes nga spitali, Kalemi është shoqëruar për në kufirin greko-shqiptar nga policia pasi e ka përfunduar dënimin dhe për këtë arsye është riatdhesuar.

Kujtojmë se ky nuk është atentati i parë, që Kalemi arrin t’i mbijetojë. Ai u bë shënjestër e një sulmi edhe më 9 gusht të këtij viti, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen. Autori, ende i paidentifikuar, i cili dyshohet se mbërriti në ishull me jet-ski, hapi zjarr ndaj Kalemit duke e lënë të plagosur rëndë. Në vendngjarje policia greke gjeti 14 gëzhoja. Ai u transportua me skaf në limanin Arila në Perdika dhe më pas me autoambulancë drejt Janinës ku mori ndihmën e parë. Policia greke e arrestoi Kalemin pasi zbuloi se ai kërkohej nga policia për një çështje të vjetër dhe e transferoi atë në burgun e Koridhalos pas kaloi rrezikun për jetën dhe u rehabilitua plotësisht.

Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi, është djali i dajës së Aleksandër Sadikajt nga Memaliaj, i ekzekutuar në një atentat me eksploziv në Sauk të Tiranës në qershor 2022. Në 16 dhjetor 2022 në Tiranë u ekzekutua biznesmeni nga Fieri me banim në Sarandë, Edmond Papa. Për vrasjen e tij është arrestuar shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, 30 vjeç ndërsa në kërkim është shoku tjetër i tij, Andreë Bode, 44 vjeç, i cili është edhe personi që ekzekutoi Papën. Në dosjen e ngjarjes përmendet edhe emri i Andrea Kalemit. Saga e hakmarrjes ka nisur pas dyshimeve të familjes së Aleksandër Sadikajt se pas vrasjes së këtij të fundit, qëndron Edmond Papa. Edhe atentati në Paxous ndaj Andrea Kalemit, dyshohet të ketë lidhje me këtë zinxhir ngjarjesh, ndërkohë qe mbeten ende të paqarta shkaqet e plagosjes së fundit të tij.


Shtuar 17.12.2023 19:18