GJKKO ka vendosur që të zgjasë masën e sigurisë “arrest me burg” për Fuad Verzivollin, i akuzuar si pjesë e krupit kriminal të Suel Çelës.
Verzivolli dyshohet për “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit, ku iu bë atentat Ardian Çapjas.
Sakaq, Fuad Verzivolli është marrë edhe në pyetje nga me urdhër të SPAK, ndërsa më pas është dërguar më paraburgim.
Njoftimi nga GJKKO
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 02.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 228, 229, 230, 238 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 147, datë 03.12.2024, vendosi:
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin Nr. 138, datë 22.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj personit nën hetim: Fuad Verzivolli si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit **** në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të organizatës kriminale “Organizata kriminale”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 78/2 – 22, 28/1, 333/2 dhe 334 paragrafi i dytë të K.Penal;
Urdhërohet Policia Gjyqësore, që personi nën hetim Fuad Verzivolli, të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, për të qëndruar aty në dispozicion të organit procedues.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe policia gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata për personin nën hetim të shpërblehet nga shteti sipas tarifave të parashikuara në ligj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.