Gerald Pique mund të kishte qenë një futbollist i Juventusit. Është ky një nga pasazhet e intervistës së dhënë nga ishmbrojtësi i Barcelonës dhe themeluesi i “Kings League”.
Bardhezinjtë e kishin vënë re talentin e njeriut që fitoi gjithçka ofronte arena kombëtare e ndërkombëtare me klube e kombëtare, në periudhën që luante për Mançester Junajtid. Por kur “shtëpia” thërret është e pamundur që t’i thuash jo: “Po, konfirmon se mund të kisha qenë një futbollist i Juventusit. Isha vetëm 21 vjeç dhe atëherë luaja për Mançester Junajtid. Ata më kishin ndjekur në shumë ndeshje të mia dhe kishin nisur bisedat me ‘Djajtë e kuq’, por fatmirësisht në të njëjtin vit erdhi edhe oferta e Barcelonës. Ajo katalanase ishte ëndrra ime e një jete, klubi i zemrës sime dhe ishte e pamundur që t’i thoja jo. Por tani që e mendoj, edhe pse nuk bëhem pishman për asgjë, do të më kishte pëlqyer të luaja në Serinë A, pasi ju italianët keni të njëjtin pasion si ne spanjollët për futbollin”, deklaroi Pique.