Pesë orë kontrolle në banesën e Ervis Martinajt, policia: Gjenden dy armë, 7 mijë fishekë e 9 uniforma policie (FOTO LAJM)

Policia e Shtetit ka reaguar pas operacionit që zgjati pesë orë në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe dhe në disa banesa të tjera përreth.

Sipas njoftimit të “bluve” në një koshere bletësh janë gjetur armë zjarri, automatikë, 7 mijë fishekë, 85 predha, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunskionalë, 11 kapele policie dhe 2 radio.

Kontrolli është ushtruar në banesat e shtetasve: E.M, F.M dhe R.M, ndërsa përpos arsenalit të armëve nuk janë gjetur vlera monetare.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit  Kontrolle të befasishme në 3 banesa dhe në disa ambiente, në Fushë Kuqe. Kontrollet, në kuadër të hetimeve në funksion të dy procedimeve penale “Plumbi i artë” dhe “Rrëmbim personi”. Kontrollet, të mbështetura nga Forcat e Lëvizshme Operacionale të Policisë së Shtetit, FNSH dhe RENEA. Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, mijëra municione luftarake, radio, fenelina, uniforma policie, maska dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Mëngjesin e sotëm, shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të Institutit të Policisë Shkencore, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, regjistruar në SPAK, për vepra të rënda penale të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal, ushtruan kontroll në banesat e shtetasve: E. M., F. M. dhe R. M. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në koshere bletësh dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, sendet e mëposhtme:

• 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Gjatë kontrollit nuk janë gjetur vlera monetare. Provat materiale do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme laboratorike./albeu.com