Pesë ditë luftë për jetën, 16-vjeçari që u përplas me Jet Ski nuk ia del, ndërron jetë te Trauma

Ka ndërruar jetë në Spitalin e traumës, 16-vjeçari i cili u përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit më 15 gusht.

I mituri, K.XH ishte në gjendje të rëndë dhe para 4 ditësh pësoi vdekje klinike.

Ditën e sotme stafi spitalor lajmëroi familjen se 16-vjeçari nuk ia ka dalë dhe ka ndërruar jetë.

I mituri me inicialet K.XH., u soll me helikopter në Tiranë pas aksidentit në Jug. I plagosur nga manovrat e rrezikshme me mjetin lundrues mbeti dhe një tjetër shok i viktimës, 17-vjeçari me inicialet D.K., por është jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet ka rezultuar se: Në Llaman, shtetasit me inicialet K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski. Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra–tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

Policia ka nisur procedimin penal për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.

Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.

Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese./Albeu.com/ 


Shtuar 20.08.2023 11:21