Rrjetet sociale, krahas një dritareje informimi, komunikimi dhe njohjeje, prej kohësh janë kthyer në një hapësirë ku gëlojnë maniakët dhe pedofilët. këtu nuk bëjnë përjashtim vajza nën moshë, të cilat ndoshta edhe nga mungesa e kontrollit, kanë hapur një profil në rrjetet sociale.
Ato shpesh herë përballen nëpër chate private me këta individë, të cilët kapërcejnë menjëherë çdo limit komunikimi. Maniakët nuk humbin aspak kohë dhe provojnë t’i joshin këto vajza, pavarësisht moshës së tyre.
Njëra nga këto vajza, sot në moshë madhore, ka pranuar të ndajë me Piranjat, eksperiencën aspak pozitive që ka kaluar në vite, në profilin e saj të fb. Ajo tregon se si, që nga momenti i parë kur ka hapur një profil, është provokuar nga një numër i madh meshkujsh, shpesh herë në një moshë që mund të ishin babai apo gjyshi i saj.
Këta persona, kanë thuajse të gjithë një stil të përbashkët, në të shkruajtur, dhe në mënyrën se si kërkojnë të bindin vajzat për t’iu dërguar foto apo video intime. Ndërkohë ata vetë, nuk hezitojnë aspak të dërgojnë fotot e tyre, në poza me doza të theksuara perversiteti.
Specialistët e rrjeteve sociale, tregojnë se është shumë e vështirë, gati e pamundur të arrihet tek ata persona që zgjedhin t’iu shkruajnë vajzave nga profile fallso. Dhe që në fakt nuk janë të pakët. Ndërkohë që vajzat, këshillohen që të tregohen strikte në ruajtjen e privatësisë.
Te mos publikojnë foto, të mos i pranojnë miqësi të panjohurve, të verifikojnë paraprakisht profilet që dërgojnë ftesa. Metoda të thjeshta, por efikase për të mbajtur sa më larg maniakët e rrjeteve sociale./syri.net/