Banorët e Rrjollit në Velipojë u përplasën me forcat e policisë ndërsa tentojnë të ndalojnë punën për një resort turistik që pretendojnë se po ndërtohet mbi tokat që u kanë grabitur.
Duke kundërshtuar projektin që sipas tyre cenon pronat private dhe po realizohet pa transparencë ligjore, banorët drejtojnë gishtin nga një Fatmir Shpellza, ish-zyrtar i Kadastrës, që sipas tyre ka falsifikuar dokumentet dhe pronën e trashëguar brez pas brezi e ka vënë në emrin e tij e më pas ia ka shitur biznesmenit Bashkim Ulaj.
Pas përplasjeve të ashpra me policinë, banorët arritën të pengojnë fadromat dhe makinat e kompanisë ndërtuese, duke pamundësuar vijimin e punimeve.
Banorët pretendojnë se kanë dokuemtet e pronësisë dhe të trashëgimisë, por autoritetet kanë pranuar ato të ish-zyrtarit të Kadastrës, duke u marrë kështu pronën shekullore.
Projekti i kundërshtuar parashikon ndërtimin e një kompleksi të madh turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në zonën ranore të Velipojës.
Më herët banorët e Rrjollit kanë protestuar edhe para Kuvendit ndërsa kanë kërkuar që SPAK te hetojë pretendimet e tyre për grabitjen e pronës.

