Kreu i “Shqipëria Bëhet” ka sqaruar për emisionin “Now” me Erla Mëhillin përplasjen me policinë përpara kryeministrisë teksa protestonin dhe ngritën dy çadra. Lapaj tha se dhjetëra policë të armatosur dhe në shkelje të ligjit janë sjellë në mënyrë aspak normale.
I pyetur nëse kanë marrë leje për ngritjen e çadrave, Lapaj tha se nuk kërkohet leje për të protestuar ndërsa theksoi se kanë njoftuar Policinë e Shtetit. Sipas tij, të mbash një çadër kampingu nuk është krim pasi temperaturat janë të ulëta.
“Jam ndër ata që kam mbështetur shumë Policinë e Shtetit se jam rritur në shtëpi me Policinë e Shtetit. Një pjesë e punonjësve janë militantë të partisë në pushtet dhe kjo nuk i bën nder Policisë së Shtetit. Ky është shteti i Edi Ramës që duhet ndalur me çdo kusht.
Shqipëria është në gjendje realisht kritike. Rama, pasi është afruar drejtësia, po intimidon gjykatën. Të japë dorëheqjen ai njeri që s’ka më legjitimitet moral. Trotuari këtu është 7-8 metra e gjerë. Çadra është 2 metra e gjerë.
Nuk besoj se çadra jonë e vogël ishte më bllokuese se çadra e para disa viteve që bllokoi gjithë bulevardin. Republika e standardeve të shumëfishta duhet shembur dhe nuk i bën nder taksapaguesve shqiptarë.
Mesazhi i Ramës ishte i thjeshtë. Pra që ju, po doni të protestoni, duhet të ngriti së ftohti. Nuk ka problem. Qytetarët do na sjellin batanije.
Do rrimë shumë ditë, do i bëhemi mortje, do e bezdisim shumë. Jam me Edona Haklajn këtu. U përball më shumë se të gjithë.”-tha Lapaj.
Si do të përmbyllet kjo qëndresë, Adriatik Lapaj theksoi se Rama të detyrohet të japë dorëheqjen ndërsa shtoi se në ditët në vazhdim do të ndërgjegjësojnë sa më shumë qytetarë që të bashkohen për të imponuar dorëheqjen e një qeverie që është kapur gafil në të gjitha drejtimet duke abuzuar me paratë publike dhe pushtetin.
“Nëse kjo nuk ndodh, do të qëndrojmë këtu sa të na lejojnë limitet tona biologjike. Nuk ka pse të na mbështesë ndonjë parti politike se ne këtu nuk kemi dalë me logo të ndonjë partie politike.
Rama ka ngritur një sistem të tillë, me banda, dhe s’ka parti që e konkurron dot. Për ne vlen Shqipëria më shumë se partia. Këtu jemi për qytetarët, për të drejtën.”-tha Lapaj.


