Përmbytjet, Peleshi: Situata është përmirësuar ndjeshëm, po monitorojmë pandërprerë

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, në një deklaratë për shtyp, ka dhënë informacion në lidhje me situatën e përmbytjeve në veri.

Peleshi tha se situate është përmirësuar ndjeshëm.

https://www.facebook.com/nikopeleshi/videos/1779963172378856

“Sipas të dhënave të fundit, reshjet kanë qenë me intensitet të ulët dhe tokë nën ujë është më pak. Në Lezhë ka pasur përmirësim të ndjeshëm. Ka ujë vetëm në 4 banesa nga 24 që ishin dje. Rrugët janë të kalueshme në rajon të veriut, në përjashtim të disa segmente. Do të jenë të lira dhe akset e bllokuara. Nuk ka patur problem në akset e rajonit qendror dhe jugor. Po bëhet kontroll i urave. Niveli i lumenjve ka rënie të ndjeshme. Situata po monitorohet pandërprerë. Sa u përket bashkive, në këtë situatë të fundit emergjente, shohim një rritje të përgjegjshmërisë nga emergjencat dhe autoritetet vendore”, tha Peleshi, ndërsa u bëri thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes pasi orët në vijim do të ketë sërish reshje.

Peleshi ngushëlloi dhe familjen Rushaj në Malësi të Madhe, për humbjen e dy anëtarëve.

“Ishte një aksident që u shkaktoi nga moti, reshjet intensive. Për të eliminuar këto raste, do ju lutesha të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes”, tha ministri.

Peleshi foli dhe për buxhetin 10 milionë euro për emergjencat.

“Sipas  VKM 414 ky buxhet mund të përdoret për:

Shërbime të ndërhyrjes së menjëhershme në shpëtimin e jetës së shtetasve, pronës private e publike.

Akordimin e ndihmës financiare për familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga përmbytjet, në aspektin ndërtimor dhe orendi shtëpiake.

Marrjen e masave rehabilituese në objektet infrastrukturore që përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e njerëzve, pronat e tyre dhe mjedisin, të cilat ndikojnë në rikthimin e jetës normale për komunitetin e veprimtaritë e tij ekonomike.

Shpenzime të kryera për blerje karburanti dhe pjesë ndërrimi për automjete dhe makineri, të cilat përdoren për përballimin e situatave emergjente.

Mbulimin e shpenzimeve të tjera operative të kryera gjatë përballimit të ngjarjeve dhe situatave të emergjencës civile;

Blerje materialesh të ndryshme, që i shërbejnë veprimtarisë së strukturave të emergjencës civile në nivel vendor.

Mbajtjen në gatishmëri të infrastrukturës së ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre.”/albeu.com