Përlotet artistja 82-vjeçare: Dola të shisja edhe lule rrugëve, këtu pensioni nuk mjafton për të jetuar

Virgjini Mile Ristani, dikur një këngëtare e shquar e Ansamblit të këngëve dhe valleve në Berat dhe më pas në Tiranë, ishte e ftuar në “Abc e Pasdites”.

Ish-këngëtarja e njohur, sot në moshën e artë kujtoi me nostalgji vitet e aktivitetit të saj artistik por foli edhe më gjerë mbi momentet kyçe të jetës.

“Jo vetëm Ansambli që më mungon shumë, por më mungojnë këngët. I dua shumë, i dashuroj. Edhe spektatori. Me Ansamblin e Beratit patëm shumë suksese të njëpasnjëshme”, shprehu Virgjinia teksa kujtonte kohët e shkuara.

Në moshën 72 vjeçare, Virgjinia humb bashkëshortin, të ndjerin Thimio Ristani dikur akrobat i cirkut në vend. Kjo humbje e madhe e la Virgjininë të vetme si pasojë edhe e pamundësisë për të pasur fëmijë.

Ajo shpreh se fati nuk e deshi që të ndërtonin një familje të madhe, por dashuria nuk mungoi deri ditën e fundit.

“E vështirë shumë është, ne shkonim shumë mirë. Si dy zogj na thonim. Me kujtimin më të mirë ka ikur, jo vetëm nga mua por nga të gjithë njerëzit që e njihnin edhe e donin” – tha e prekur zonja.

Virgjinia tregon se sot jeton nëpërmjet një pensioni minimal prej 1.800 lekësh dhe mungesa ekonomike e ka detyruar të shesë lule në anë të rrugës.

Sipas saj, fillimet me lulet qenë të sikletshme por ajo nuk ndaloi së tregëtuari trëndafilat që i rrit me përkujdesje në kopshtin modest mbrapa shtëpisë.

“Unë kam shumë trëndafila, edhe lule të tjera në shtëpi. Më thotë dikush, shiti ato trëndafilat. Jo se është turp I thashë. Bëra një tufë me trëndafila dhe i vura te parvazi afër shtëpisë.

I vura atje. Ecja rrugës dhe thoja ‘pse e ula veten unë?’ më vjen një zonjë dhe më thotë ‘Ku i shet ato ti? Bjermi mua.’ Aty plasi cipa” – tha me humor 82 vjeçarja./albeu.com


Shtuar 20.09.2021 22:14