Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka folur për mediet pas vendimit të Komisionit të Etikës për të përjashtuar nga Kuvendi 6 deputetët e PD-së.
Ai u shpreh se është një vendim i papërgjegjshëm duke shtuar se Parlamenti është kthyer në një tollovi.
Deputeti Korreshi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka kapur të gjitha pushtetet në vend dhe ka për qëllim të shkatërrojë zërin opozitar.
Korreshi: E njëjta histori. Këtu vazhdon po e njëjta tollovi. Kritikën më fortë nuk duan ta kenë kur të vijë kryeministri. Ata predikojnë se ka forma të tjera por janë të parë që shkelin rregulloren. Rregullorja parashikon dhe interpelancë më vete dhe Komision. Koçi i Teto Ollgës po bën luftë me shpata në Japoni, edhe këtë javë na mbetet të protestojmë me bilbila.
Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike janë përjashtuar nga Kuvendi, pas rrëmujës dhe kaosit që shkaktuan në seancën plenare të enjten e kaluar. Deputetët e përjashtuar janë Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliaj, Gerta Bardeli dhe Edmond Spaho.
Masa ndëshkuese nuk ka qenë e njëjtë për gjithë. Deputetja Metaliaj dhe Bardeli janë përjashtuar përkatësisht me pesë dhe tre ditë, kurse të tjerët me dhjetë ditë.
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Japoni.
Ai do të zhvillojë një vizitë zyrtare në datat 21 deri në 25 Shkurt, në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy Shqipëri- Japoni./Albeu.com/