Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka folur për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Ai zbardhi detaje nga mbledhja dhe deklaroi se Grupi Parlamentar ka diskutuar për seancën e posaçme ku do të diskutohet për situatën në Kosovë.
Ai bëri me dije se deri në këtë moment nuk ka një dakordësi për të dalë me një rezolutë të përbashkët me PS-në për shkak se Grupi Parlamentar i PS nuk mbështet rezolutën e Parlamentit të Kosovës, nuk kërkon një unifikim të qëndrimit të deputetëve shqiptarë me ata të Parlamentit të Kosovës dhe nuk pranon që të identifikojë përgjegjësit realë të situatës së krijuar më 24 shtator.
Bardhi: Grupi i PD ka bërë çdo përpjekje për të pasur një rezolutë të përbashkët. I bëj thirrje kolegëve të PS të heqin dorë nga qëndrimi i Serbisë, dhe të gjithë bashkë të mbështesim Kosovën në këtë betejë që ka për trajtim përpara.
Sa i takon përjashtimit të disa deputetëve demokratë nga Kuvendi, përfshirë Bardhin, ky i fundit tha se është kthyer në një traditë parlamentare që sa herë Rama përgatitet për të shkuar në Parlament, përjashtohet një pjesë dërmuese e deputetëve demokratë.
Bardhi: Ka një urdhër të Ramës për të përjashtuar demokratët dhe kolegët socialistë e kanë zbatuar. Sado të përjashtojë qoftë propozuesin e rezolutës. qoftë deputetët e PD-së do duhet të përballet me opozitën.
/Albeu.com