Për herë të parë pas 97 vitesh zhvendoset busti i heroit Çerçiz Topulli, kjo është arsyeja

Për herë të parë pas 97 vitesh, që prej ekspozimit në qendër të sheshit që mban emrin e tij, busti i heroit Çerçiz Topulli është zhvendosur ditën e sotme. Zhvendosja do të jetë e përkohshme dhe ka ardhur si pasojë e punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor.

Bashkë me shtatoren, është hequr edhe bazamenti me vlera monumentale, në të cilin ishte vendosur punimi i mjeshtrit Odise Paskali qysh prej vitit 1934. Bëhet fjalë për disa pllaka mermmeri të sjella nga Italia pikërisht në vitet ’30. Zhvendosja e bustit nxiti më herët debatet mes palëve dhe shoqërisë civile.

Shtatorja e heroit do të rikthehet sërish në përfundim të punimeve. Monumenti, pa të cilin nuk mund të kuptohet sot qyteti i gurtë, u ngrit me kontributin e vetë gjirokastritëve. Monumenti kushtoi plot 3600 franga ari.

 

Shtuar 22.07.2021 14:55