Ulsi Manja do të jetë ministri i ri i Drejtësisë në kabinetin qeverisës “Rama 3”, pozicion i cili u mbajt për 4 vite nga Etilda Gjonaj.
Pas emërimit nga kryeministri Rama, gjatë pushimit në hollin e pallatit të Kongresit, Ulsi Manja është përshëndetur nga kolegët socialistë të cilët e kanë uruar për detyrën e re.
Në foton e shkrepur nga LSA, bie në sy përqafimi nga Ilir Beqaj në drejtim të socialistit Ulsi Manaj që më parë drejtoi Komisionin hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.
Deklarata e Gjonajt pas emërimit të Manjës:
“Unë besoj që në katër vite kam dhënë maksimumin tim, edhe falë mbështetjes së një ekipi shumë të mirë, PS, dhe partnerëve ndërkombëtarë, ne kemi arritur rezultate që do të çohen përpara dhe nga kolegu Manja. Unë besoj që një ministër me një mandat 4 vjeçar është i mjaftueshëm. Unë i uroj shumë suksese zoti Manja, kam bindjen që do të çojë përpara arritjet e nisura”, tha Gjonaj.
Manja më parë ka mbajtur dhe postin e kryetarit të komisionit të Ligjeve dhe anëtar i komisionit parlamentar për reformën në drejtësi. /albeu.com/