Për 33 vjet në harresë, Dukagjini kërkon rrugën, banorët në protestë

Nga Eliona Shkreli

U mbajt sot protesta e rradhës me moton “Dukagjini kërkon rrugën”, së cilës sikurse herën e parë iu bashkuan shkodranë e dukagjinas, pa dallime krahinore e politike me një qëllim të vetëm, rrugën!

Prej 33 vitesh kjo rrugë iu mohua atyre banorëve duke i bërë ata të ndjehen të braktisur e të diskriminuar.

Sot kjo ditë proteste përkoi me një ndër ngjarjet më të rënda që kjo rrugë përjetoi, aksidentin tragjik të 2007-tës ku humbën jetën 10 persona…Ajo tragjedi do mbetet e pashlyeshme në memorien e familjarëve, banorëve dhe të mbarë Qarkut Shkodër. Ishte ajo ditë që do të emërtonte në vijim këtë rrugë si “rruga e vdekjes”, pasi aty dëshmohen vdekjet e dhjetra njerëzve ndër vite.

Një rrugë e cila u ndërtua 55 vite më parë e që nuk u vendos asnjë gur themeli për rindërtimin e saj me kushtet dhe parametrat bashkëkohore.

Normalisht, politika sot duhet të heshtë, sot kur këta banorë dhe jo vetëm, po protestojnë për një kërkesë legjitime të mohuar prej kaq vitesh, politika duhet të fshihet pas ndjenjës së turpit e të heshtë, sidomos përgjegjësit që drejtpërsëdrejti bllokuan këtë projekt I cili ishte tenderuar dhe prokuruar në vitin 2013 për ndërtimin e plotë nga Prekali deri në Kir!

Është e dyta herë që menjëherë pas protestës reagon në rrjetet sociale kandidati akoma i pazyrtarizuar për Bashkinë Shkodër, z. Benet Beci, ish drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në respekt të protestës dhe zërave të sinqertë të banorëve, pas protestës së parë nuk reagova por sot e ndjej detyrim si qytetare, si dukagjinase dhe gazetare t’i kërkoj z. Beci të heshtë sepse Ai është personi që jo vetëm anulloi ndërtimin e kësaj rruge, por të gjithë fondin e çoi në Korçë atje ku në fakt sot ndoshta do të duhej të kandidonte sepse edhe mund të fitonte.

Në këtë shkrim do kthehem pas në kohë, për të kujtuar për ata që kanë harruar të vërtetën e rrugës së Dukagjinit në bazë projektesh dhe qeverish.

Iniciativat ishin të ndryshme, saqë kërkesat e banorëve të Dukagjinit dukej se po binin në ‘vesh të shurdhër’. Pas tragjedisë së Dukagjinit të 2007-tës, qeveria e asaj kohe filloi punën duke ndërtuar aksin Ura e Mesit – Prekal, e menjëherë pas kësaj filluan përpjekjet për të vijuar këtë projekt dhe ndërtimi I rrugës të shtrihej deri në Breg Lumi të Shalës.

Skepticizmi i banorëve ishte i madh përsa i përket realizimit të këtij projekti të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj krahine, pasi premtimet nuk kishin munguar por gjithçka kishte mbetur në kuadër fushatash pa shkuar më tej sesa thjesht premtime.

Në vitin 2013, u mësua se së shpejti do të niste puna për ndërtimin e rrugës nga fshati Prekal deri tek Kisha e fshatit Kir, kishte përfunduar projekti teknik dhe ishte tenderuar dhe prokuruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si investitori, institucion i cili drejtohej asokohe nga Benet Beci!

Ky ishte lajmi më i mirë që do u vinte dukagjinasve pas shumë vitesh premtime e pritje. Por pavarësisht përfundimit të të gjitha procedurave, nisja e zbatimit të projektit nuk po fillonte.

Në vitin 2014, shoqata “Atdhetare-Dukagjini” iu drejtua me një shkresë zyrtare duke i kërkuar drejtorit ekzekutiv të F.Sh.Zh-së, përgjigjen e shkakut të vonesave në nisjen e zbatimit të projektit. Për të qënë sa më transparente, po publikoj dokumentin e Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini” që mban datën 07 korrik 2014, e protokolluar në zyrat e F.Sh.Zh-së, në të cilën thuhet:

Zoti drejtor,
Jam Ndue Sanaj, kryetar i Shoqatës “Atdhetare-Dukagjini”, me qëndër në Shkodër.
Po ju shqetësojmë për një problem mjaft serioz:
Me 20 shtator 2013 është bërë prokurimi I rrugës Prekal-Kir, dhe ende nuk shohim fillimin e punimeve.
Prandaj, ju lutem, na krijoni mundësinë e një takimi për këtë problem.
Mbetemi me shpresën e një takimi të shpejtë!

Shkresa zyrtare mbyllet me firmën e kryetarit të Shoqatës, z. Ndue Sanaj (siç edhe mund t’a shikoni).

Kjo letër-kërkesë jo vetëm që nuk pati përgjigje nga z.Beci, por 5 anëtarë të Shoqatës edhe pse shkuan për të takuar z. Beci në zyrat e F.Sh.Zh-së nuk u lejuan të takoheshin me drejtorin e institucionit duke u kthyer pas pa asnjë përgjigje.

Sot ish drejtori ekzekutiv I Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili synon të marrë Bashkinë Shkodër në zgjedhjet e 14 majit, vendos për të dytën herë të reagojë dhe të politizojë me premtime boshe e me fjalë të mëdha një rrugë e cila sot do të duhej të ishte e përfunduar.

Qeveria e Berishës, në 2013-tën përfundoi të gjithë procedurën, nga hartimi i projektit teknik e deri tek fondet e financimit dhe prokurimit publik, por sapo Beneti u bë i Ramës, ndryshoi mendje dhe destinacion të projektit duke kaluar të gjithë fondin e miratuar në Korçë.

Përsa kohë që ishte Beneti I Berishës si drejtues ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me porosi të qeverisë 2005-2013, në Qarkun Shkodër u ndërtuan rruga Ura e Mesit-Prekal, Bogë-Qaf Thore, Hani i Hotit-Tamarë, Qëndra e Tamarës shiritin e inaugurimit të të cilit e preu kryeministri tjetër, Rama I Benetit pavarësisht se investimi ishte kryer nga qeveria e Berishës.

Tashti, po i kthehem edhe njëherë statusit të rradhës, ku kandidati rilindas mbështet protestën e dukagjinasve, por ajo që Beneti i Berishës nuk i mëson dot Benetit të Ramës është sinqeriteti ndaj dukagjinasve.

Jam koshiente se disa gjëra nuk varen nga Ai (z.Beci) . Por sot, të kërkosh votën e dukagjinasve për t’u bërë kryetar bashkie, të shfrytëzosh protestën për fushatë elektorale nuk është e drejtë.

Sot ti shprehesh i hapur të takohesh me të interesuarit dhe t’i prezantosh projektin teknik, kur në fakt duhet t’i kthesh përgjigjen zyrtare që të shtrohet prej Korrikut 2014, ku shkuan fondet e vitit 2013 për ndërtimin e rrugës Prekal-Kir?

Kjo protestë e dukagjinasve duhet të mbështetet nga të gjitha palët, nga çdokush që e do Shkodrën të zhvilluar, por dukagjinasit gjithashtu duhet të jenë të qartë e të mos mashtrohen nga fjalë të bukura e premtime boshe, rrahje shpatullash dhe dhënie të drejte për kërkesat legjitime!

Sot Dukagjini kërkon rrugën, boll me premtime, sot kërkohen realizime!


Shtuar 12.03.2023 16:04