Pentagoni rrëzon balonën “spiune’” kineze

Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar balonën të dyshuar spiune kineze që ka fluturuar në të gjithë Amerikën javën e kaluar.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia Reuters dhe pak më vonë në rrjetet sociale janë postuar video përkatëse nga momenti i rrëzimit të tij, sjkruan BBC.

Më herët, zyrtarët amerikanë thanë se administrata e Presidentit Joe Biden kishte vendosur të ecë përpara me planin e saj për të rrëzuar balonën e spiunazhit kinez që po fluturonte sot mbi Karolinën e Jugut.

Pas rrëzimit, autoritetet do të heqin mbetjen e saj nga ujrat territoriale amerikane. Balona u pikas të enjten, tek fluturonte në një lartësi prej 18 kilometrash dhe u vlerësua të ishte e madhe sa tre autobusë shkollash.

Pamjet televizive treguan një shpërthim të vogël, e më pas balona u pa tek binte në rënie të lirë në drejtim të ujit. Po kështu në pamje shquheshin avionë ushtarakë amerikanë, tek fluturonin në afërsi të saj, si dhe anije gati për operacionin e nxjerrjes së balonës nga ujërat e oqeanit Atlantik.

Planet për rrëzimin e balonës mbi oqean u njoftuan më herët nga dy zyrtarë amerikanë që folën në kushte anonimiteti mbi këtë operacion të ndjeshëm.

Në përgatitje të operacionin, Administrata Federale e Aviacionit mbylli përkohësisht hapësirën ajrore mbi vijën bregdetare të Karolinës së Veriut dhe asaj të Jugut, përfshirë aeroportet në Charleston dhe Myrtle Beach, në Karolinën e Jugut, si dhe në Wilmington, të Karolinës së Veriut. Roja Bregdetare këshilloi gjithashtu mjetet lundruese që të largohen menjëherë nga zona.

Përpara rrëzimit të saj Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara “do të zgjidhin çështjen” e balonës kineze.
Autoritetet e kanë mbajtur balonën ‘spiune’ kineze nën monitorimin të vazhdueshëm. Të premten Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se një tjetër balonë kineze, ishte pikasur tek fluturonte mbi Amerikën Latine.

“Vlerësojmë se është një tjetër balonë kineze, që po përdoret për përgjim”, tha në një deklaratë gjeneral brigade Patrick Ryder, sekretar i shtypit të Pentagonit.

Autoritet amerikane e konsideruan incidentin me balonën në territorin amerikan ngjarje të rëndë, në shkelje të hapur të hapësirës ajrore amerikane dhe ligjit ndërkombëtar. Por Kina ka këmbëngulur se balona, e cila sipas Pekinit kishte humbur kontrollin, ishte civile dhe se ishte përdorur për mbledhjen e të dhënave meteorologjike.

Incidenti me balonën detyroi Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken të shtyjë vizitën e planifikuar për këtë fundjavë në Pekin.

“Arritëm në përfundimin se aktualisht nuk egzistojnë kushtet e përshtatshme për një vizitë konstruktive”, tha zoti Blinken./Albeu.com/