Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes një postimi në Facebook ka dhënë informacion në lidhje me zjarret në veri të vendit.
Peleshi shkruan se, pavarësisht përpjekjeve të forcave operacionale në terren, situata e zjarreve mbetet problematike në veri.
“Pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, situata e zjarreve është problematike në disa vatra në veri të vendit.
Era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik. Përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës. Me ritëm të shtuar është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës. Por fatmirësisht, momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.
Një falenderim të veçantë për ndihmën e ardhur nga Bashkimi Evropian, punën e palodhur të ekuipazheve të helikopterëve holandezë e çekë, të cilët po vazhdojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e plotë të zjarreve. Mirënjohje edhe për asistencën e pakursyer të ekipit të ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID e SHBA”, shkruan Peleshi./albeu.com