Partia Demokratike zyrtare ka hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhet lokale të 14 majit, në pallatin e spottit “Farie Hoti”, ku ka prezantuar kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko.
Gjatë fjalës së tij kryetari në detyrë tha se PD prej më shumë se një viti e gjysëm është nën sulmin e vazhdueshëm të treshes Meta-Berisha-Rama, pasi këta dinozurë të politikës dhe persona të korruptuar nuk e duan një forcë opozitare.
Sipas tij ky sulm vjen pasi demokratët e vërtetë nuk i duankëta perosna të korruptuar që të jenë më pjesë e politikës shqiptare.
“Po bëhet më shumë se një vit e gjysmë, që një sulm i pashembullt, i mirë-koordinuar, i mirë-organizuar, i mirë-financuar, vazhdon të zhvillohet pandërprerë ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë, partisë së parë opozitare të vendit, të krijuar nga ëndërra e studentëve dhe intelektualëve të lëvizjes së Dhjetorit. Kjo parti ka rëndësi historike për fatet e orientimit perëndimor të Shqipërisë, parti që ka bërë gjërat më të mëdha dhe më të rëndësishme për vendin.
Që ky vend të dalë jo vetëm nga prapambetja e regjimit komunist, nga dhuna, nga varfëria, por si partia që e ka futur Shqipërinë në rrjetën e qytetërimit perëndimor.
E pra, sot kjo parti është nën agresion. Partia Socialiste, pasardhëse e ish-komunistëve shqiptarë, me në krye një kryeministër mafioz si Edi Rama, një pazarxhi politik si Ilir Meta, bashkë me Sali Berishën, ish-kryetarin tonë dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë të shpallur non-grata nga aleati ynë madhor, SHBA, si minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit madhor në vend, në koordinim të hapur dhe të fshehtë me veglat e tyre në pushtet me sistemet mediatike dhe mafioze të tyre, me korrupsionin e 30 viteve, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur.
Partia Demokratike dhe çdo simpatizant i saj ka qenë në një agresion të shumëfishtë. Agresion politik, agresion mediatik, agresion ligjor, madje dhe agresion fizik.
Dhe e dini pse?
Sepse kjo parti, ju dhe të gjithë demokratët që e duan dhe kanë kontribuar për të janë ndryshe nga ata. Ata nuk e durojnë dot – e kam fjalën për kastën e vjetër politike, dinozaurët e tranzicionit shqiptar
– që të ekzistojë një forcë politike me integritet, që të ekzistojë një forcë politike që në themel të saj ka vlerat më të mira njerëzore, që ka në themel të saj lirinë e çdo individi, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Dinozaurët e politikës së vjetër Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk mund të pranojnë që të ekzistojë një forcë politike jashtë kontrollit të tyre personal.
Ata nuk mund të pranojnë që në Shqipëri, ka njërëz të lirë si puna juaj, sepse njerëzit dhe pushtetin i duan t’i kenë në kontroll, për interesat e tyre, për pushtetin e tyre dhe për hallet e tyre.
Ata e dinë shumë mirë, se një parti politike si Partia Demokratike, e çliruar nga mëkatet e së shkuarës, e çliruar nga çdo dilemë e rrugës që duhet të ndjekë, me moralitet të lartë politik dhe vendosmëri drejt të ardhmes, është një kërcënim për pushtetin e tyre.
Ky mentalitet që kasta e vjetër politike përfaqëson, mentaliteti ku çdo gjë shihet si pronë personale, njerëzit, partitë, insitucionet, ja kanë marrë frymën Shqipërisë për 32 vite me radhë.
Për një gjë të jeni të sigurtë, ju dhe gjithë shqiptarët që na dëgjojnë sot. Janë të tre bashkë, dhe s’ka as më të voglin dyshim për këtë. Nuk mund të vazhdojnë jetën politikë pa njëri tjetrin.
Kanë 33 vite që ndajnë interesa politike dhe financiare bashkë. Oligarkët i kanë bashkë, mediat i kanë bashkë, politikën e kanë zaptuar bashkë.
Si ka mundësi që Sali Berisha dhe Ilir Meta, këta opozitarët e vërtetë nuk denoncojnë asnjë oligark të lidhur me qeverinë dhe bashkinë?!!
Është shumë e thjeshtë! Janë bashkë me Edi Ramën, me sistemin politik dhe financiar 33 vjeçar në Shqipëri.
Ditën bëjnë sikur zihen për parime, natën ndajnë interesat financiare së bashku. Prandaj edhe fyejnë, shajnë, ulërasin, sa herë që u përmenden paratë që përdorin për fushata e interesa politike.
Ashtu siç kanë bërë me mua këto ditë, mediat dhe taboret politike të Sali Berishës, vetëm e vetëm se ngrita një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët në fakt.
Ku i gjen paratë Sali Berisha për aktivitet e tij politike të kushtueshme?
Pyesni Erion Velinë, oligarkët që ai përfaqëson, dhe aty do të gjeni përgjigjen se ku gjenden këto para.
Ky sistem pra, sistemi politik i drejtuar nga Rama, ka element përbërës themelor të tij, Berishën dhe Metën. Sistemi politik që ka patur si elemente bazë të tij në vendimarrjen politike biznesin klientelist dhe krimin e organizuar nuk mund të bëjë pa Berishën dhe Metën.
Berisha dhe Meta janë shpëtimi i vetëm i këtij sistemi të kalbur sepse nuk janë alternativë për shkak të izolimit perëndimor dhe pamundësisë për të fituar“, tha Alibeaj.
/AlbEu.com/