PD refuzon shkarkimin e Metës: Vendim antikushtetues nga Kuvendi njëpartiak

Pas votimit pro shkarkimit të Presidentit Ilir Meta nga Kuvendi, ka reaguar Partia Demokratike përmes një deklarate zyrtare. PD shprehet se është kundër vendimit të shkarkimit dhe e quan atë antikushtetues.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Sulmi antikushtetues i Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit të Republikës është akt që thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi. Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.

Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës./albeu.com


Shtuar 9.06.2021 15:40