Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas vendimeve të Lulzim Bashës dhe Kryesisë së PD për përjashtimet dhe pezullimet nga kjo forcë politike të disa prej anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit.
Komentet Këlliçi i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku sfidon Bashën duke i kërkuar të zbresë në bazë, ndërsa ironizon që ende s’ka të internuar dhe pushkatuar.
“Ish kryetari i partisë që blindoi humbjen në PD, nga xhelozia se nuk u bë dot lider, i rezistoi gjumit deri në të gdhirë të ditës së sotme për të përjashtuar e pezulluar në grup kritikët e tij.
Çudi që s’ka ende të internuar apo pushkatuar!
Zbrit në bazë dhe shiko si do të të presin. Ne kemi zgjedhur demokratët e bazës dhe ata të sakrificave, kurse ti Edi Ramën dhe bashkëqeverisjen!”, shkruan Këlliçi.
Në mbledhjen maratonë të Kryesisë që nisi pasditen e djeshme dhe zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm u vendos përjashtimi përgjithmonë nga PD i Sali Berishës dhe 8 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit. Gjithashtu janë pezulluar mbështetësit e Berishës, ndërsa janë shkarkuiar nga funksionet 9 të tjerë, përshirë Belind Këlliçin, si drejtues në Tiranë./albeu.com/