Paulo Dibala: Titulli shkon për Interin, kam një sfidë me Ronaldon

Paulo Dibala ka përjetuar një nga sezonet më të këqinj në karrierën e tij duke qenë se për pjesën më të madhe të kohës ka qenë i dëmtuar.

Vetëm para tre ndeshjeve argjentinasi është rikthyer, ndërsa po mundohet me shpejtësi të jetë në nivelin që të gjithë e njohin.

Së fundmi, numri 10 i Juventus, ka pranuar se këtë sezon titullin do ta marrë Inter, teksa shton se me Ronaldon ka një sfidë se cili do të arrijë më parë shifrën e 100 golave me Juventus.

“Kemi fituar Superkupën kundër Napolit dhe kemi finalen e Kupës ndaj Atalantës. Por, titullin do ta fitojë Inter, ka qenë një vit ndryshe për Juventusin. Kemi ndryshuar shumë dhe shpresojmë që në sezonin e ardhshëm të bëjmë më mirë dhe të mësojmë nga gabimet.

Unë me Ronaldon kemi një sfidë se cili do të shënojë i pari 100 gola me Juventus, mua më duhet edhe një gol, atij i duhen tre. Ronaldo kërkon gjithnjë të fitojë, edhe në stërvitje madje nëse humbet është i padurueshëm për disa minuta.

Është folur më parë për një transferim të Mesit te Juventus, por dihej që do të ishte e vështirë. Ai dhe Ronaldo janë dy lojtarë të ndryshëm dhe unë nuk di të zgjedh njërin prej tyre”, u shpreh Dibala. /VipSport.al/

 


Shtuar 23.04.2021 15:16