Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me rastin e “patronazhistëve” dhe përdorimit të të dhënave të qytetarëve për qëllime elektorale nga Partia Socialiste.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Tabaku tha se përdorimi i të dhënave personale nga PS për qëllime elektorale përveçse është shkelje e qartë e të drejtave të njeriut edhe çdo gërme dhe frymës së kushtetutës
Deputetja demokrate ngriti shqetësimin se PS edhe sot nuk është vendosur përpara përgjegjësisë por se vijnë sulmet ndaj mediave të cilët nxorrën në pah dhe raportuan skandalin.
“Patronazhistët apo krimi me të cilin krenohen fajtorët
Përdorimi i të dhënave personale nga PS për qëllime elektorale përveçse është shkelje e qartë e të drejtave të njeriut edhe çdo gërme dhe frymës së kushtetutës. Mbetet një nga krimet më të mëdha në vend sidomos përdorimi i të gjithë informacionit shtetëror për të vendosur nën presion votuesit, për të kërcënuar bizneset dhe kjo solli deformimin e votës dhe rezultatit të 25 prillit 2021!
Ende sot subjekti përgjegjës, pra Partia Socialiste, nuk është vendosur përpara drejtësisë por nga ana tjetër padrejtësisht sulmohet media që vuri në pah skandalin!
Një metodë antiligjore dhe antikushtetuese ka njollosur proçesin demokratik të zgjedhjeve, ka promovuar pandëshkueshmërinë edhe jo vetëm! Tanimë procesi integrimit komplikohet sepse akuzat e deridjeshme janë fakte!
Databaza e pagave dhe ajo e targave ishin qershia mbi tortë e të dhënave personale që keqpërdoren sistematikisht nga PS dhe që përbëjnë një nga shkeljet më të mëdha të demokracisë dhe privacisë që për këdo është e shenjtë!”, ka shkruar ajo.