Gazetarja Klodiana Lala ka bërë të ditura zhvillime të reja nga hetimi i SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë një interviste në emisionin “Prime News24”, të moderuar nga Nisida Tufa, ajo deklaroi se Prokuroria e Posaçme po kontrollon dyshimet për pasuri që mund të jenë fshehur jashtë Shqipërisë.
Lala tha se autoritetet shqiptare kanë përcjellë një letërporosi dhe kanë nisur shkëmbim informacioni me autoritetet italiane për një pasuri të dyshuar në Itali.
Të lidhura
None found
“SPAK po verifikon dyshimet për disa pasuri që dyshohet se janë fshehur jashtë vendit. Ka një letërporosi dhe shkëmbim informacioni në lidhje me një pasuri atje. Nuk dihet nëse është vilë apo jo”, deklaroi gazetarja.
Sipas saj, procedurat e verifikimit nuk kanë përfunduar ende, ndërsa mbetet e paqartë se çfarë lloj pasurie është objekt i kërkesës drejtuar autoriteteve italiane.
“Nëse rezulton se ka një pasuri edhe në Itali, situata bëhet më serioze për Ballukun”, u shpreh Lala.
Hetimet e SPAK ndaj Ballukut vijojnë, ndërsa pjesë e verifikimeve janë edhe pasuritë dhe transaksionet që mund të kenë lidhje me çështjen.
