Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviç jep dorëheqjen nga posti i kryetarit të DPS

Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviç ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë partiake, konfirmon media malazeze “Vijesti”.

Gjukanoviç ka drejtuar DPS-në që nga viti 1998, dhe pas dorëheqjes së tij, kryetari i ri do të jetë Danijel Živković.

Seanca e Bordit Kryesor të DPS-së është caktuar për nesër.

Gjukanoviç më herët kishte njoftuar se do të largohej nga posti udhëheqës në parti dhe se duhet të mbahen zgjedhje të menjëhershme brenda DPS-së dhe të zgjidhet kryesia e re e partisë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviç humbi bindshëm nga Jakov Milatoviç, kandidati presidencial i Lëvizjes Evropa Tani.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ai fitoi 41.12% të votave./albeu.com