I nënshtrohet votëbesimit, Abazoviç: Nëse qeveria bie, do ndjek protokollin

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç po merr pjesë në seancën ku po i nënshtrohet votëbesimit. Mediat malazeze shkruajnë se vetë Abazoviç ëhstë shprehur se nëse qeveria e tij nuk rrëzohet sot, atëherë ai do të vazhdojë të mbetet kryeministër i vendit dhe se nëse bie, atëherë do të ndjekë protokollin e parashikuar nga kushtetuta e vendit. Abazoviç tha gjithashtu se nuk ka pasur diskutime konkrete për rindërtimin e Qeverisë, nëse nuk bie sot.

“Varet nëse sot nuk do të krijohet një shumicë e re, që është ndoshta më realiste. Pastaj pritet që kjo mazhorancë të kryejë proceset e ardhshme. Në këtë rast, ne do t’ia dalim. Përderisa mandati është në dorën e kryeministrit, qytetarët mund të jenë të qetë për luftën kundër krimit. Në momentin që mekanizmi i kalon presidentit, përgjegjësia shkon tek ai,”- tha Abazoviç.

I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, Abazoviç u përgjigj se “në momentin që unë jap dorëheqjen, duhet të shkoj te presidenti i vendit, teorikisht”.

Sot, Kuvendi i Malit të Zi, do të mbajë votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç. Seanca është caktuar në orën 11:00. Në të do të marrë pjesë edhe vetë Abazoviç me ministrat e kabinetit të tij. Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.