Ditën e shtunë në orën 12:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Rithemelimit. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të Kryesisë, të thirrur nga Sali Berisha, të cilit po sot (21 dhjetor) iu hoq imuniteti.
Sa i përket riorganizimit të partisë, u vendos krijimi i 4 rajoneve, të cilët do të drejtohet nga 4 koordinatorë.
Ndërkohë do të ftohen në organizim edhe Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë.
Berisha në fjalën e tij para anëtarëve të Kryesisë tha se “Na duhet një ripërshtatje e shpejtë. Duhet ta konceptojmë qëndresën tonë si një betejë të atyre që guxojnë”
Berisha teksa iu referua vendimit te sotem te Kuvendit, qe i hoqi mandatin tha se reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë.
“Reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozitë e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi, është vështirë të ndash diktatorin nga hajduti dhe hajdutin nga diktatori, sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndihet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë, të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve, por problemi më themelor është sepse ai ka arritur t’u konfiskojë votën e lirë shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë”, tha nder te tjera Berisha.
KUVENDI I HOQI IMUNITETIN
Kuvendi autorizoi sot (21 dhjetor) Prokurorinë e Posaçme për arrestimin e Sali Berishes, person nën hetim për çështjen e Klubit Sportiv Partizani.
Ky hap i ri u hodh, pasi ai nuk respektoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje, duke e quajtur atë si antikushtetuese. Autorizimi i Kuvendit u përcoll menjëherë në SPAK, ku prokurorët pritet të vendosin për masën e re të sigurisë, që do t’i kërkojnë Gjykatës së Posaçme për Berishen.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ftoi deputetin Sali Berisha të merrte fjalën për të dhënë shpjegimet e veta mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e tij, por ai nuk pranoi, ndërsa kërkonte që punonjësit e shërbimit të largoheshin nga salla.
Kuvendi miratoi me 75 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme mbi autorizimin për arrestimin e deputetit Sali Berisha përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.