Pas dorëheqjes së Bashës, grupi “Berisha” rikthen në punë rojën historik të PD-së

Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, Komisioni i Rithemelimit ka rikthyer në detyrë rojën e dorëhequr të selisë blu, Pëllumb Matraku.

Deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe ish deputeti Klevis Balliu hynë në ambientet e PD dhe thanë se po priten ekspertët për të hequr dyert e blinduara.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Flamur Noka, i cili deklaroi se do rikthehet në detyrë roja historik i selisë blu, Pëllumb Matraku, i cili u largua nga detyra disa ditë para përplasjes së 8 janarit.

‘Që nga sot do rikthehesh në krye të detyrës!’, u shpreh Flamur Noka teksa një dorë e mbante mbi supin e rojes së PD.

Pëllumb Matraku deklaroi para protestës së 8 janarit se vendosi të largohet nga detyra pasi nuk i pëlqenin reagimet që po ndodhin mes demokratëve.

‘Kam punuar 24 vite në PD. Jam shumë krenar që kam punuar me profesor doktor Sali Berishën. Në 2 legjislaturat e fundit kam punuar me Lulzim Bashën, i jam shumë mirënjohës.

Sot (të mërkurën) bëra një largim para kohe sepse nuk më pëlqejnë disa reagime mes demokratësh. Bëni mirë të gjeni gjuhën, mos i bëni qejfin të tjerëve’, shkruante Pëllumb Matraku në atë kohë.