Zyrtarët nga Irani dhe Ukraina janë takuar për të diskutuar akuzat se Rusia po përdor drone sulmuese të prodhuara nga Irani në Ukrainë, sipas një zëdhënësi të ministrisë së jashtme të Ukrainës.
“Një takim i tillë ekspertësh u zhvillua. Nuk mund t’i zbuloj detajet, por mund t’ju siguroj se pala ukrainase vazhdon të marrë masat më drastike për të parandaluar përdorimin e armëve iraniane nga Rusia për luftën kundër Ukrainës”, tha Oleg Nikolenko.
Në fillim të këtij muaji, Irani pranoi për herë të parë se kishte furnizuar Moskën me drone, por tha se ata ishin dërguar para luftës në Ukrainë. Rusia mohon që forcat e saj të kenë përdorur drone iraniane për të sulmuar Ukrainën.
“Ukraina ka informuar Iranin se pasojat e bashkëpunimit në agresionin rus do të jenë të pakrahasueshme me përfitimet e mundshme të bashkëpunimit me Rusinë.”-përfundoi ai.