“Para në bankë, lokale e aksione”, kjo është pasuria e deputetit që dyshohet se iu vodhën 50 mijë euro

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, të enjten ka rënë pre e hajdutëve. Siç raporton Paparaci, atij i janë vjedhur 50 mijë euro dhe stoli në vlerë prej 10 mijë euro. Shkreta ka raportuar në Polici se paratë nuk kanë qenë të tij, por edhe të baxhanakut.

Këtë shumë të parave Shkreta nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, por cila është pasuria e tij?

Përveç si deputet, Shkreta punon edhe si mjek stomatolog dhe kirurg oral në një klinikë dhe profesor në UBT.

Në AKK ai ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një shtëpi banimi në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe katër lokale afariste në vlerë totale prej 165 mijë e 400 euro.

Si pronë të tij, Shkreta ka deklaruar një banesë, të cilën e ka blerë nga kredia, trashëgimia dhe të hyrat vetanake, vlera e së cilës është 70 mijë euro.

Ai ka deklaruar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, e cila, sipas tij, është blerë me kredi dhe është në pronësi të përbashkët.

Në deklarimin e pasurisë së tij në AKK, Shkreta ka thënë se ai dhe bashkëshortja e tij janë aksionarë në një kompani, të quajtur “Integrident”.

Para të gatshme, Shkreta ka deklaruar se ka mbi 100 mijë euro në bankë.

/GazetaExpress/

 


Shtuar 26.06.2022 08:02