Kryetarja e Gjykatës së Apelimit në PD, Adriana Kalaja, i ka bërë thirrje sot SPAK-ut të vendosë sekuestron preventive mbi pallatin e shembur paligjshmërisht në rrugën “Myslym Keta” nga grupi i drejtorëve të arrestuar të bashkisë së Tiranës e konkretisht ish-drejtori i IMT, Mariglen Qato.
Znj. Kalaja tha për mediat sot, pasi dërgoi dosjen në SPAK sërish, se kanë konstatuar se “se e gjithë puna në rrugën “Myslym Keta është e paligjshme dhe e bazuar në interesa personale të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe gjithë drejtorëve të tij të lidhur me kompaninë 5D dhe ne kemi ngritur dyshime të arsyeshme se jemi para produktit të pastrimit të veprave penale dhe grupit të strukturuar kriminal.”
Zonja Kalaja vlerësoi punën e Prokurorisë së Tiranës në këtë çështje, e cila ia ktheu dosjen SPAK-ut sërish pasi në të, ndryshe nga ç’pretendon kryetari Altin Dumani se bëhej fjalë për thjesht për “shpërdorim detyre”, realisht ka korrupsion të zyrtarëve të lartë, korrupsion të të zgjedhurve vendorë e më shumë.
“Në këtë dosje janë të kallëzuar 32 punonjës të bashkisë Tiranë, – theksoi Kalaja, ndër ta dhe kryetari Erion Veliaj, ish-nënkryetari e sot ministër për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku; kryetarja e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko dhe të gjithë drejtuesit më të lartë të kësaj bashkie, ku nga këta, nëntë ndodhet në masë sigurimi arrest me burg apo arrest shtëpia a detyrim paraqitjeje, që nga Mariglen Qato, Redi Molla, Taulant Tushe etj.
Në 31 maj 2023, në shkelje të plotë të ligjit, të detyrës, ai që ne e deklarojmë si partner të Partisë Socialiste, Altin Dumani, amniston Erion Veliajn dhe Arbjan Maznikun dhe e kalon për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. sipas shkresës që unë bëj sot publike, më 31 maj kjo çështje kalon pranë Prokurorisë së Tiranës.
Pas hetimeve të kryera, ku doja të falenderoja pa fund organin e akuzës pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë që konstaton se kjo dosje ndryshe nga sa thoshte Altin Dumani me shkresën e 31 majit 2023, është një dosje ku ka kompetencë vetëm SPAK për ta hetuar sepse Altin Dumani, partneri dhe kolegu i Erion Veliajt dhe i PS ka pretenduar se kemi të bëjmë vetëm me shpërdorim detyre të disa zyrtarëve të bashkisë Tiranë.
Ndërkohë pas hetimeve të kryera në Prokurorinë e Tiranës rezulton se nuk kemi të bëjmë me nenin 248, por kemi të bëjmë me disa vepra penale duke filluar që nga ajo e korrupsionit të zyrtarëve të lartë, të korrupsionit të të zgjedhurve vendorë dhe deri te akuzat e tjera që kam referuar dhe që Dumani ka pretenduar se nuk janë referuar nga ne duke vijuar me pastrimin e produktit të veprës penale, grupit të strukturuar kriminal dhe veprime kriminale të një organizate të tilla.
Në këto kushte, rikthimi i kësaj dosjeje pranë SPAK për ne është lajm shumë i mirë sepse tregon që sot nën hetim duhet të jetë edhe Erion Veliaj, Arbjan Mazniku dhe Romina Kuke dhe nga ana tjetër vërteton katërcipërisht të gjithë denoncimet tona se organi i ngritur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar sot është kthyer në zjarrfikëse të gjithë këtyre veprimeve antiligjore.
Duke kërkuar nëpërmjet këtij kallëzimi, sekuestrimin e projektit lidhur me ndërtimin e pallatit, siç e ka denoncuar edhe PD, përveçse pallati është prishur nga IMT ku ish-kryetari Mariglen Qato sot është në arrest me burg dhe demolimin e këtij pallati ia ka deleguar në mënyrë antiligjore, kriminale kompanisë 5D që kishte interesa të ngushta , ne i kërkojmë Dumanit marrjen e masës së sekuestros preventive mbi projektin e këtij pallati se ne e konsiderojmë se e gjithë puna në rrugën “Myslym Keta” është e paligjshme dhe e bazuar në interesa personale të kryetarit të bashkisë dhe gjithë drejtorëve të tij të lidhur me kompaninë 5D e kemi ngritur dyshime të arsyeshme se jemi para produktit të pastrimit të veprave penale dhe grupit të strukturuar kriminal.
I bëj thirrje Dumanit të largohet nga shërbimi që i bën në mënyrë konseguente Veliajt dhe PS-së, se nuk është kthyer në koleg, po në shërbëtor të tyre.” /ar.sh/SYRI.NET