Pakti mes PS-së dhe Rithemelimit, rikthen në kuvend deputetët e Berishës

Pas një kaosi 5-mujor në Parlament, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, ranë dakord për të kthyer normalitetin në Kuvend.

Kjo u pa më së miri dje në Kryesinë e Kuvendit. Dakordësia e arritur të premten mes mazhorancës dhe opozitës solli të parin produkt, duke rikthyer pas më shumë se 5 muaj kaosi e bllokimi, normalitetin në Kuvend.

Demokratët e Berishës dhe të Bardhit zunë vendet e lëna bosh, duke nisur nga Komisioni i Ligjeve, i cili dje u zhvillua me praninë fizike të deputetëve.

Më vjen mirë që jemi të gjithë të kthyer në sallën e mbledhjeve të komisionit”, tha Bushka, e cila lajmëroi futjen në rendin e ditës të nismave të deputetëve. Komisioni i Ligjeve ishte i pari që u mblodh dhe të pranishëm ishin edhe deputetët e opozitës.

Deputeti demokrat Dashnor Sula, ishte një ndër deputetët demokratë që foli gjatë punimeve dhe hodhi akuza duke e quajtur false marrëveshjen PD-PS.

“Kjo ishte loja, marrëveshja u bë në Tiranë, tymi plasi në Sazan”, deklaroi Sula.

Sipas tij, dakordësia është arritur me kërkesa që opozitës i takojnë me të drejtë sipas rregullores.

Ky kthim në normalitet duhet të kishte ndodhur që në tetor 2023. Ngjarjet dihet se si kanë shkuar. Marrëveshja për mua është një ‘fake’ i pastër. Nuk mund të jem këtu hipokrit që është një normalitet. Është normalitet i rremë”, tha ai.

Kurse demokratja Dhurata Çupi tha: “E shikojmë si një zhvillim shumë pozitiv kthimin e punës së Komisionit të Ligjeve në normalitet”.

Por deputetët e Berishës hynë në Kuvend, Lulzim Basha me të vetët i bojkotoi mbledhjet e komisioneve, me argumentin se marrëveshja e arritur mes mazhorancës dhe opozitës, është pazar për interesa të Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Sikundër në Komisionin e Ligjeve, edhe në atë të integrimit, që drejtohet nga demokratja Tabaku, mbledhja u mbajt me praninë fizike të deputetëve. Edhe këtu grupimi i Bashës refuzoi të bëhej pjesë e mbledhjes.

“Është një lajm i mirë që në ditën e parë të hapjes së komisioneve, komisioni i çështjeve europiane është ndër komisionet e para”, tha Tabaku.

Në të dy këto komisione palët nisën diskutimet për një sërë nismash, mes të cilave projektligji për sigurinë kibernetike dhe akti normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024.

Kurse te Komisioni i Sigurisë Kombëtare, deputeti demokrat, Ervin Salianji ngriti si shqetësim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, mungesën e transparencës, lidhur me investimet nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, që synohen të realizohen në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

“Ne mbështesim çdo investim me garë, transparent, që mund të vijë në Shqipëri dhe që mund të bëjë më tepër për vendin tonë. E para, a ka lidhje me këtë kompani një i njohur nga ne, ju e publiku Charles McGonigal? Mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se lidhja është e dukshme. E dyta, a ka lidhje dhe a i dëmton interesat e Shqipërisë fakti që një prej drejtuesve kryesorë është oligarku rus Vladislav Doronin? A keni shqetësime edhe ju si Komision Sigurie? Dua që investime të tilla të diskutohen këtu në Komisionin e Sigurisë”, u shpreh Salianji në Komisionin e Sigurisë.


Shtuar 19.03.2024 08:03