Nga Anatol Lieven “The Guardian”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ka shumë gjasa që ne të mos e mësojmë kurrë me saktësi se si dhe pse u vra Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner. Po ashtu, ka shumë të ngjarë që ai të jetë vrarë me urdhër të vetë Vladimir Putinit, por ndoshta edhe me urdhër të armiqve të tij në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, të cilët ndoshta e kishin ëndërruar prej kohësh këtë moment dhe besonin se mund ta vrisnin pa u ndëshkuar.
Shumica e analizave në Perëndim mbi këtë vrasje, janë përqendruar tek frika nga Putin që do të shkaktojë vdekja e Prigozhin në mesin e elitave ruse apo tek zbulimi i brishtësisë bazike të regjimit rus. Kjo qasje nuk është krejtësisht e gabuar, por asaj i mungojnë disa frikëra të kahershme që janë shumë të përhapura brenda establishmentit rus, por në fakt edhe në mesin e popullit ruse, të cilat do të ndikojnë tek mënyra se si zhvillohen më tej ngjarjet: frika nga humbja, kaosi por dhe nga frika nga njëri-tjetri.
Ajo që shqetësonte realisht shumicën e anëtarëve të elitës ishte dështimi i Putinit për të vepruar shumë më herët për t’i dhënë fund grindjes së ashpër publike midis Prigozhin dhe Ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe fakti që demonstrimi i armatosur i Prigozhin rrezikoi të shkaktonte një ndarje të brendshme me pasoja katastrofike në Rusi, duke çuar me siguri tek disfata në Ukrainë.
Rezultati i luftës është thelbësor në mendjen e të gjithëve në Rusi. Duke gjykuar nga dështimet e fundit të kundërsulmit të ukrainasve, në rast se regjimi dhe shteti rus mbeten të bashkuar, ushtria ruse ka një shans të mirë për të mbrojtur linjat e saj ekzistuese në frontin e luftës.
Nga bisedat që kam pasur ditët e fundit, duket se një shumicë e konsiderueshme e elitës por edhe e rusëve të zakonshëm janë të gatshëm të pranojnë një armëpushim përgjatë vijave aktuale të fushëbetejës, dhe nuk do të ngrinin asnjë sfidë nëse Putini do të propozonte apo do të pranonte një armëpushim të tillë duke e paraqitur atë si një fitore të mjaftueshme për Rusinë.
Elementët nacionalistë të linjës së ashpër në pushtet dhe ushtri ishin tejet të pakënaqur me situatën. Por ata janë dobësuar nga eleminimi i Prigozhin dhe hapat e tjerë që ka ndërmarrë Putin për të frenuar ndikimin e tyre, përfshirë shkarkimin e dy gjeneralëve dhe arrestimin e liderit ultra-nacionalist dhe ish-komandantit të milicisë së Donbass, Igor Girkin.
Gjithsesi, presidenti është dukshëm ende i frikësuar nga ndikimi i tyre dhe admirimi i vazhdueshëm që kanë për Prigozhin, që vazhdon edhe pse u sigurua që funerali i këtij të fundit të ishte sa më privat.
Plani i preferuar i nacionalistëve të vijës së ashpër, një fitore e plotë në Ukrainë, e cila sipas tyre do të sillte mobilizimin e plotë të popullsisë dhe ekonomisë ruse ashtu si në vitin 1942, do të ishte jo shumë popullor në mesin e shumicës së popullsisë dhe do të përbënte një kërcënim vdekjeprurës për pasurinë e elitës ekonomike.
Kjo është pa dyshim arsyeja pse Putini e ka refuzuar deri më tani. Por ngurrimi i përgjithshëm i elitës për të synuar fitoren totale në Ukrainë, nuk është i njëjtë me gatishmërinë për të pranuar humbjen e Rusisë, skenar që po shpresohet aktualisht nga qeveria e Ukrainës dhe ajo e SHBA-së.
Asnjë nga ata me të cilët kam folur brenda elitës së Moskës, dhe në fakt edhe shumë pak rusë në popullatën e gjerë, nuk më kanë thënë se Rusia duhet të dorëzojë Krimenë dhe Donbasin Lindor. Nëse sovraniteti rus mbi këto territore nuk njihet zyrtarisht nga Ukraina – diçka që Kievi e ka përjashtuar në mënyrë kategorike – rusët që mbrojnë këtë pikëpamje besojnë se Rusia duhet të mbajë territorin shtesë që ka marrë që nga pushtimi i vitit të kaluar, për të parandaluar çdo sulm të ardhshëm ukrainas në Krime dhe Donbass.
Nuk ka asnjë provë që elita ruse, dhe as rusët e zakonshëm, e dëshironin pushtimin. Ky vendim u mor nga Putin dhe rrethi i tij i ngushtë. Por ka ende një mosgatishmëri të përgjithshme për ta parë Rusinë të mposhtur dhe të poshtëruar në Ukrainë.
Dhe këtu mund të bëhet një krahasim me disa ushtarë amerikanë që i njoh personalisht, të cilët nuk e kishin dashur pushtimin e Irakut. Por pasi ushtria amerikane u angazhua atje, nuk donin ta shihnin atë të mundur. Kjo i vendos liberalët rusë para një dileme shumë të vështirë: si ta kundërshtojnë luftën pa mbështetur palën ukrainase, në një luftë në të cilën ushtarët rusë po vdesin dhe që e kërcënon Rusinë me një humbje katastrofike.
Mua me kujtohet një intervistë me John Musgrave, një veteran i plagosur në Luftën e Vietnamit, që u bë një kundërshtar i zellshëm i luftës. Gjithsesi ai u trondit dhe u zemërua kur aktorja Jane Fonda udhëtoi për në Vietnamin e Veriut dhe u fotografua me ushtarët e Vietnamit.
Shumë liberalë rusë që jetojnë në Perëndim kanë marrë në thelb qasjen e Fonda-s, duke mbështetur hapur armiqtë e Rusisë. Kjo mund të jetë moralisht e saktë, por ka shumë pak gjasa t’i ndihmojë ata të fitojnë zgjedhjet e ardhshme të lira në Rusi, nëse do të ndodhë të mbahen ndonjëherë.
Frika e elitës për humbjen e Rusisë është e lidhur me frikën e madhe nga anarkia, e cila ndahet nga pjesa më e madhe e popullsisë. Në fakt ata bien dakord me disa nga elementët më të ashpër anti-rusë në SHBA dhe Evropën Lindore: se disfata e plotë në Ukrainë do të çonte në rënien e regjimit të Putinit, dhe se kjo nga ana tjetër mund të çonte në një periudhë kaosi që do të dobësonte rëndë apo edhe shkatërronte Federatën Ruse.
Frika nga një epokë e re e problemeve, i ka rrënjët shumë të thella në kulturën ruse. Ajo u ringjall fuqishëm nga përvoja katastrofike e viteve 1990. Duke folur nga këndvështrimi i komunitetit më të vogël të biznesit, pronari i një zinxhiri kafenesh më tha se pavarësisht zemërimit shumë të madh me korrupsionin e miqve të Putinit, shumica e biznesmenëve të njohur të saj janë ende besnikë ndaj Putinit, sepse ai i dha fund zhvatjeve nga mafiat dhe konflikteve të viteve 1990, të cilat e kishin bërë jo vetëm shumë të vështirë drejtimin e një biznesi të suksesshëm, por ndonjëherë edhe me pasoja fatale.
Në qendër të kësaj frike nga ana e elitave është frika nga njëri-tjetri, apo për veten e tyre. Kaosi i viteve 1990 solli beteja të egra midis të ashtuquajturve oligarkë, duke përfshirë në disa raste edhe vrasjet. Ndaj elitat e sotme besojnë se pa një udhëheqës të fortë si Putin për t’i mbajtur ata nën fre, nuk do të ishin në gjendje të ndërmjetësonin mosmarrëveshjet e tyre dhe ta mbanin shtetin të bashkuar.
Pavarësisht nga gjithë këta faktorë që favorizojnë qëndrimin e Putinit në pushtet, një disfatë tjetër e rëndë në Ukrainë, ka shumë të ngjarë të sjellë rrëzimin e regjimit të tij. Sërish, rivalët e mundshëm të Putinit nga brenda establishmentit nuk kanë nevojë të njohin historinë melankolike të Gjermanisë së Republikës Vajmarit për të kuptuar se një regjim që e merr pushtetin nën hijen e një disfate katastrofike, nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm apo i suksesshëm.
Shënim:Anatol Lieven, drejtor i programit Eurasia në Quincy Institute for Responsible Statecraft, dhe autor i librave duke përfshirë “Ukraina dhe Rusia:Një rivalitet vëllazëror”.
/albeu.com