Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi nga foltorja e Kuvendit që ligji për pagat e magjistratëve të tërhiqet, duke argumentuar se gjatë shqyrtimit të tij nuk është respektuar procedura parlamentare.
Sipas Tabakut, në këtë rast është cenuar edhe Kushtetuta.
Të lidhura
None found
Ajo deklaroi se ligji që rregullon statusin e prokurorëve dhe magjistratëve është paraqitur disa herë në Kuvend. Tabaku kujtoi se, kur ligji u kundërshtua, një prej kërkesave të Gjykatës Kushtetuese ishte zhvillimi i një procesi konsultimi.
Deputetja tha se në Komisionin e të Drejtave të Njeriut ishte kërkuar organizimi i një seance dëgjimore me të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, kërkesë që, sipas saj, u trajtua me seriozitet si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta.
Ndërkohë, ajo akuzoi Komisionin e Ligjeve se i përfundoi diskutimet dhe miratoi një vendim pa marrë në konsideratë kërkesën e tyre.
Tabaku u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend ku Gjykata Kushtetuese dhe gjyqtarët kanë mbetur prej dy muajsh pa u paguar. Ajo shtoi se është gjithashtu i vetmi vend ku kryeministri dhe ministrat sulmojnë prokurorët e gjyqtarët, ndërsa sistemi gjyqësor përdoret sa herë i nevojitet politikës së ditës dhe, nga ana tjetër, nëpërkëmbet.
Në përfundim, deputetja e PD-së përsëriti se miratimi i këtij ligji është shoqëruar me shkelje të procesit parlamentar dhe të Rregullores së Kuvendit, duke theksuar se Kushtetuta dhe të drejtat e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt negociatash.
