Osmani merr zyrtarisht detyrën: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve tanë (FOTO LAJM)

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca ia ka dorëzuar zyrtarisht detyrën presidentes së sapo zgjedhur Vjosa Osmani.

Konjufca në ceremoninë e dorëzim-pranimit të detyrës,  tha se ndihet i nderuar t’ia dorëzojë këtë detyrë Vjosa Osmanit, e cila sot u zgjodh në këtë post me 71 vota në raundin e tretë të votimit.

“Ne në politikë e kemi njohur njëri-tjetrin për një kohë të gjatë edhe pse të ri në moshë, por Vjosa Osmani ka pasur një aktivitet shembullor politik dhe është jashtëzakonisht mirë që të gjithë qytetarët e Kosovës gjithmonë e kemi njohur si person me cilësi më të larta njerëzore dhe një mbrojtëse e interesave tona shtetërore dhe avokate e pakompromis e shtetit të Kosovës. Duke e njohur nga afër Osmanin që u zgjodh presidente, nuk kam dyshim që këtë përgjegjësi që po e merr do ta kryejë me respektim më të lartë për popullin”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani tha se do të jetë e hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve tanë, e bashkëpunimeve me të gjithë partitë politike dhe shoqërisë civile përgjatë pesë vjetëve në vijim do të përballem me shumë sfida e ato mund t’i kalojmë vetëm kur qëndrojmë bashkë”, është shprehur Osmani.

Shtuar 4.04.2021 09:04