OSBE/ODIHR publikon raportin për zgjedhjet e14 majit: Pretendimet për presione dhe blerje vote, shqetësuese

OSBE/ODIHR ka publikuar raportin për zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri, të cilat në përgjithësi i konsideron “të mirëadministruara dhe konkurruese, por procesi u polarizua nga partitë kryesore dhe përçarja e thellë brenda opozitës”.

Në raport theksohet se ka raste të abuzimit me burimet shtetërore, presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votueseve si edhe pretendime për blerjen e votave.

Këto pretendime sipas raportit të OSBE, janë cilësuar si “shqetësuese”.

“Kandidatët mundën të bënin fushatë lirisht, por çështjet me rëndësi për komunitetet lokale u shpërfaqen me vështirësi në fushatë. Rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qëndror dhe lokal, pretendimet për presione ndaj punonjësve të administratës dhe votuesve dhe pretendimet për blerje vote, ishin shqetësuese”.

Më tej në raport thuhet se “KQZ organizoi punën në mënyrë transparente dhe efikase, por komisionet e niveleve më të ulëta nuk ishin shumë stabël për shkak të zëvendësimeve të shpeshta të anëtarëve nga partitë”.

Sa i përket ditë së zgjedhjeve, theksohet se ishte përgjithësisht paqësore por u ndikua negativisht nga rastet e shumta të ndërhyrjeve të partive në proces.


Shtuar 29.09.2023 19:40