Meqë lidhja e ngushtë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban me Pekinin është duke u vënë në shënjestër nga opozita hungareze para zgjedhjeve, Qeveria e këtij shteti është duke tentuar të distancojë veten nga disa politika kontroverse të Kinës.
Kjo qasje e Orbanit është vërejtur pasi Peter Marki-Zay – kryetar konservator i një qyteti të vogël, njëherësh kandidat i përbashkët i partive opozitare – duket se përbën mundësinë më të mirë për të rrëzuar Orbanin nga pushteti, pas më shumë se një dekade.
Ndërkohë që gara mes këtyre dy kandidatëve duket se do të jetë e ngushtë, Budapesti është duke krijuar qasje të reja, pasi Marki-Zay është zotuar se do të shkundë marrëdhëniet e ngrohta të Hungarisë me Kinën.
“Qeveria hungareze është tani e heshtur për çështje kontroverse të lidhura me Kinën dhe është duke tentuar të vë në pah anën pozitive të lidhjeve (Hungari-Kinë), sikurse investimet kineze në këtë shtet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Tamas Matura, asistent-profesor në Universitetin Corvinus në Budapest.
Nën Orbanin, i cili është në pushtet nga viti 2010, Hungaria ka krijuar lidhje të ngushta me Kinën.
Lidhjet janë zgjeruar edhe më shumë sipas politikës Hapja Lindore, që ka pasur synim të kultivojë lidhje më të ngushta me Pekinin dhe Moskën për të nxitur investime dhe mundësi ekonomike për Hungarinë.
Prej atëherë, Orban ka hapur dyert për një mori iniciativash kontroverse kineze në këtë shtet – duke përfshirë një universitet në Budapest të financuar nga Kina, një hekurudhë në Beograd dhe prokurim të ventilatorëve dhe vaksinave gjatë pandemisë – të cilat janë parë me dyshime të lidhura me borxh dhe korrupsion.
Në kohën kur sondazhet tregojnë se Marki-Zay dhe partia Fidesz e Orbanit janë shumë afër me rezultate, kandidati opozitar ka tentuar të vë në pah lidhjet kontroverse të Orbanit me Kinën dhe ka bërë thirrje për rishikim të marrëdhënieve të Hungarisë me Pekinin.
Kandidati opozitar ka akuzuar Orbanin për korrupsion gjatë negociimit të fondeve për hekurudhën Budapest-Beograd, për të cilën Qeveria ka marrë hua nga Kina për 20 vjet, në vlerë të 1.9 miliard dollarëve dhe është zotuar se nuk do të përfshihet në përpjekjet e Bashkimit Evropian për të censuruar Pekinin për shqetësimet e lidhura me të drejtat e njeriut në Hong Kong dhe Provincën Ksinjiang të Kinës.
Në Bruksel, shumë zyrtarë të BE-së, të familjarizuar me politikat e bllokut evropian ndaj Kinës, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët hungarezë nuk kanë kundërshtuar propozimin për vazhdim të sanksioneve kundër Pekinit rreth Ksinjiangut, kryesisht për shkak që Budapesti dëshiron të shmangë fuqizimin e përpjekjeve të opozitës për të shënjestruar Orbanin për lidhjet e tij me Kinën.
“Gjithçka duhet të analizohet, të rishikohet dhe i gjithë korrupsioni duhet të identifikohet”, ka thënë Marki-Zay për të përditshmen kineze, South China Morning Post.
“Hekurudha nga Budapesti deri në Beograd dhe prokurimi i vaksinave duhet të rishikohen dhe të analizohen nga autoritete të pavrura”./REL