Opozita e konsideron të paaftë, Kurti ndihet si punëtori me hillt që punon pa ndalim

Kryeministri Albin Kurti sheh punë të mëdha të realizuara kur kthehet ta vlerësojë qeverisjen njëvjeçare. Opozita vlerëson krejt ndryshe prej tij. PDK-ja dhe LDK-ja, dy partitë më të mëdha opozitare e kanë përshkruar njësoj, “të paaftë”, Kurtin dhe Qeverinë e tij.

Albin Kurti zgjodhi televizionin publik që të martën mbrëma të flasë për punët e një viti në qeverisje. Kryeministri e përshkroi rolin e tij gjatë kësaj kohe si një lider i angazhuar e aktiv gjatë gjithë kohës. E krahasoi veten me punëtorin që çan beton, teksa fliste për skandalin e zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, të cilin e quan thjesht lëshim.

“Në qeverisje je tërë kohën aktiv. Aq shumë aktiv saqë është e pamundshme të kontrollosh gjithçka. Unë nganjëherë bëj shaka, them se si kryeministër më duket vetja pak si – nonstop duke shkruar mesazhe, duke marrë vendime, duke lexuar raporte, duke përcjellur udhëzime – sikur ai punëtori që punon me hillt, me atë që çan beton. Ama theksi nuk duhet të jetë te betoni që çahet, por te punëtori që dridhet”, tha ai.

Në mesditë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dolën në konferenca të ndara për shtyp për të argumentuar se sa “e paaftë” ishte Qeveria përgjatë një viti.

“Ky vit i parë i qeverisjes së Albin Kurtit, mund të përshkruhet në shumë drejtime, por të gjitha drejtimet e kanë një emërues të përbashkët dhe ajo është paaftësia”, tha Memli Krasniqi.

Ai e sheh si jokompetente Qeverinë e Albin Kurtit, ndërsa përmendi “rezultatet e munguara në çdo fushë”. Epilogu i vitit të parë të qeverisjes nga LVV-ja, Krasniqi tha se ishte “përtej imagjinatës” së tyre.

Kolegu i tij në opozitë, Lumir Abdixhiku, tha se për 12 muaj, qeverisja e Kurtit është përcjellë “me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën”.

“Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave fondamentale të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit”, tha Abdixhiku.

Në krizën e pandemisë dhe krizën e energjisë elektrike, Qeveria Kurti “ka vendosur t’i braktisë qytetarët”, tha ai. Abdixhiku i quajti “fatale” ballafaqimet e Qeverisë me krizat, ndërsa LDK-ja në ëeb-faqen e saj publikoi një dosje me “12 dështimet e mëdha të Qeverisë Kurti”.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka akuzuar Qeverinë Kurti për shumë dështime në shumë fusha gjatë punës njëvjeçare. Megjithatë, ai e ka llogaritur një sukses, që sipas tij është krijimi i Fondit të Sigurisë.

“‘Krejt dhe Drejt’ ishte parulla, që konfirmon se mungesa e një plani të qartë, është vetë plani i stagnimit. Deklaratat populliste, u treten si fluska, kapja, ç’kapja, avancuan në deklarime qesharake për punësime, shkarkime e ngarkime, me filtera e bojlera, pa ndonjë rezultat. Një vit pas, Kosova është në udhëkryq pa vizion, e qytetari më i varfër”, tha ai./Ekspress


Shtuar 23.03.2022 14:47