Opozita çon SPAK në Kushtetuese, 30 deputetë të PD bëjnë ankim kundër masës së sigurisë ndaj Sali Berishës

Beteja e liderit të opozitës Sali Berisha me SPAK-un ka mbërritur në dyert e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetët e Partisë Demokratike, duke nisur nga Gazment Bardhi, Flamur Noka e 28 të tjerë, kanë kërkuar nga Kushtetuesja të shpallë të pavlefshme masën e sigurisë, detyrim paraqitje që Gjykata e Posaçme vendosi ndaj ish-kryeministrit Berisha.

Nënkryetari i demokratëve të drejtuar nga Berisha, Oerd Bylykbashi, theksoi se Kushtetuta ka vendosur imunitetin si mbrojtje të parlamentit nga sulme të organizuara, siç është sulmi politik ndaj liderit të opozitës Sali Berisha.

Gjykata Kushtetuese ka deri në 3 muaj kohë për tu shprehur për këtë çështje, dhe ndërkaq duket se asgjë nuk e ndalon prokurorinë të kërkojë në gjykatë ashpërsim të masës së sigurisë ndaj Berishës, pasi parlamenti t’i japë autorizim javën e ardhshme.


Shtuar 14.12.2023 16:18