Nga Ekrem Spahiu
Prej kohësh është kërkuar me argumente të pakundërshtueshme që Republikës së Shqipërisë duhet t’i njihet një ditë zyrtare krijimi dhe kjo ditë të jetë data 31 Janar 1925 kur Shqipëria u shpall republikë për herë të parë. Për paaftësi gjykimi, apo për paragjykime ideologjike, të gjitha qeveritë e të gjitha krahëve kanë bërë shurdhmemecin: deri tani asnjë referencë në dokumentin e Protokollit të Shtetit. Asnjë përkujtimore. Rrjedhimisht asnjë urim diplomatik. Janë këto paaftësi dhe paragjykime që edhe në faqen zyrtare të Kuvndit, kjo datë është injoruar!
Kaloi data 11 Janar kur plot 80 vjet më parë Shqipëria u shpall republikë popullore. Asnjë referencë në dokumentin e Protokollit të Shtetit. Asnjë përkujtimore. Asnjë urim diplomatik. Edhe pse ishte madje ditë jubilare.
Kaloi edhe data 28 Dhjetor kur në këtë datë, 49 vjet më parë, Shqipëria u shpall republikë popullore socialiste. Sigurisht që askush nuk ka dëshirë ta përmendë.
Më në fund, kaloi edhe data 21 Tetor kur në këtë datë, 27 vjet më parë, Shqipëria u shpall republikë parlamentare. Asnjë referencë në dokumentin e Protokollit të Shtetit. Asnjë përkujtimore. Asnjë urim diplomatik. Nuk e kujton asnjë media.
Pra, katër “Republika” të Shqipërisë, të shpallura me kushtetutë, por asnjera e njohur zyrtarisht si datë historike!
Arsyeja e paanëshme, por dinjitoze për një shtet, na kërkon të shohim se në çfarë raporti e venë veten shtetet republikane në gjithë botën me datën e shpalljes “Republikë” të shtetit të tyre. Shohim se nuk ka asnjë shtet në botë që të mos e ketë dekretuar ditën e shpalljes “Republikë”, ose si festë kombëtare, ose si datë historike. Në respekt të historisë, edhe shteti ynë duhet ta institucionalizojë një datë të tillë.
Republikat “popullore” dhe “popullore socialiste”, me ngarkesën e dukshme ideologjike që mbajnë, sigurisht që nuk ka përse të shpallen si data historike.
Republika parlamentare e shpallur më 21 Tetor 1998, është absolutisht i njëjti institucion, e njëjta përmbajtje me Republikën Shqiptare të shpallur më 31 Janar 1925 nga Asambleja Kushtetuese. Mjafton të përmendim se Kryetari i Republikës, i zgjedhur nga ajo Asamble Kushtetuese, shpalli një program të qartë politik, e njëjtë në themel dhe shumë më të mirëpërcaktuar edhe në krahasim me programin e qeverive të sotme. Në planin e brendshëm, për herë të parë sanksionohej që “ushtria duhet të vihej në mbrojtje të shtetit dhe të nderit kombëtar” dhe jo të partive politike. Sipas programit të qeverisë, suprimohej Ministria e Luftës dhe në vend të saj krijohej një “Komandë e Përgjithshme Armate”, ku Presidenti ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Në planin e jashtëm përcaktohej: “Nuk duem të jemi foleja e ideve aventuriste që prishin qetësinë e shtetit, ashtu edhe të shteteve fqinj. Respektojmë të drejtat ndërkombëtare të gjithë shteteve, ashtu duem të respektohemi edhe ne. Me nji fjalë, politika e jashtme ka me qenë mbrojtje e indipendencës dhe integriteti i shtetit tonë.”
Gjithçka nisi që në hartimin e Kushtetutës së parë të vendit, përmes së cilës Shqipëria shpallej për herë të parë Republikë. Kushtetuta e parë u ndërtua sipas modelit të Kushtetutës Amerikane dhe kjo flet shumë për orientimin perëndimor të vendit. Po të marrim parasysh trashëgiminë e gjatë osmane të vendit, një kalim i tillë ishte sa i guximshëm, aq edhe i rrezikshëm. Por koha vërtetoi se ishte zgjidhja më e domosdoshme për të ruajtur të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Ndërkohe, u hartua një ligj lidhur për zgjedhjet parlamentare, i cili ishte shumë më i drejtë nga ai që zbatojmë sot. Vendosej një ekuilibër në funksionimin e parlamentit, një karakteristikë kjo e vendeve të zhvilluara.
Kështu, Shqipëria tashmë kishte shtetin e vet, i cili do të krijonte kushtet për një kohezion më të mirë kombëtar ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve që i paraqiteshin vendit në ato kohëra e situata delikate. Për herë të parë Shqipëria krijoi një formë regjimi republikan presidencial, mbështetur në modelet më të mira perëndimore.
Pikërisht këtu nis edhe shpjegimi i mbështetjes së menjëhershme që i dhanë kancelaritë e Evropës qeverisë së Zogut. Do të ishte Britania, fuqia e madhe demokratike e kohës, e cila e njohu menjëherë qeverinë e Ahmet Zogut.
Sot në demokraci, shteti shqiptar ka shpallur që në Nenin 1 të Kushtetutës, se “Shqipëria është Republikë parlamentare”, por, habitshëm, nuk njeh me Protokoll Shteti, ditën e themelimit të saj, Republikën e Parë, si ditë feste zyrtare, ditë përkujtimi apo ditë e shënuar historike.
E kemi për detyrë, si çdo komb i dinjitetshëm, që të respektojmë historinë dhe fazat që kanë përgatitur njera-tjerën, sepse janë pjesë e formësimit të shtetit dhe kombit. Dhe data 31 Janar 1925 përfaqëson një fazë të tillë.
Prandaj, është në dinjitetin dhe seriozitetin e Kuvendit të Shqipërisë, që të filloj një procedurë parlamentare të posaçme për këtë çështje me jehonë madhore kombëtare e ndërkombëtare dhe me siguri, do të rivendoset një e drejtë historike e shtetit shqiptar.
