ONM ankimoi vendimin e KPK për Elisabeta Imerajn, Yuri Kim thirrje mediave: Koha për të treguar guxim dhe integritet

Pas konfirmimit në detyra nga KPK të kryeprokurores së Tiranës Elisazbeta Imeraj, ditën e djeshme, përmes një njoftimi zyrtar, Institucioni i Komisionerëve Publikoi tha se, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ka rekomanduar ankimim të vendimit të KPK në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisioneri Publik ka nxjerrë deklaratën e ONM-së ku kërkon që Imeraj duhet të rivlerësohet për të tria kriteret.

Në lidhje me këtë, ka reaguar ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e cila përmes një postimi në Tëitter u ka bërë thirrje mediave ta ndjekin procesin nga afër dhe me integritet.

“Në përputhje me rolin e saj kushtetues në procesin e verifikimit, vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM dje rekomanduan Komisionerët Publikë të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme. Të gjithë duhet të shikojmë nga afër se çfarë do të ndodhë më pas. A do të jetë përgjigjja për të treguar guxim dhe integritet për të dhënë drejtësi apo, siç e kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, do të ketë përpjekje për të devijuar duke sulmuar procesin e vettingut dhe duke shpifur për vëzhguesit ndërkombëtarë? A do t’i shërbejnë mediat publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të bien dakord të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Koha është tani për të treguar guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë. Koha që Shqipëria të ecë përpara hap pas hapi. SHBA do të jetë me ju”, shkruan Kim./albeu.com

 

Shtuar 22.06.2021 10:43