Abonentët e kompanisë celulare ONE Albania janë duke u përballur me një situatë të paprecedentë që prej fillimit të shërbimit të telefonisë mobile në Shqipëri. Mijëra abonentë nuk kanë sinjal edhe pse kanë bërë pagesat në rregull. Madje, shkëputja e sinjalit vijon në disa raste për ditë të tëra dhe në raste të tjera për muaj apo javë të tëra siç ka denoncuar më herët AlbEu.
E gjithë kjo situatë kaotike ka ndodhur për shkak të dështimit të procesit të bashkimit të Albtelecom dhe ONE nën logon ONE Albania.
Kompania ONE Albania njoftoi abonentët se do të bënin bashkimin më datë 1 prill, por asgjë nuk funksionoi dhe abonentët u përballën me ndërperje të sinjalit duke u sulur më pas në rrjetet sociale të kompanisë pasi edhe shërbimin e klientit nuk mund ta kontaktonin për shkak të ndërprerjes së sinjalit.
AlbEu më herët raportoi se dështimi ka ndodhur për shkak se sistemi operativ që po përdor ONE Albania nuk po funksionon duke i lënë në baltë abonentët e saj.
Në lidhje me situatën e krijuar, ka reaguar edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke kërkuar nga abonentët që të tregohen të kujdesshëm ndaj njoftimeve personale që u dërgon kompania ONE Albania. AKEP shton se janë duke e ndjekur këtë procedurë të dështuar të bashkimit të kompanive.
Ndërkohë që ONE Albania është duke humbur mijëra abonentët çdo orë që kalon, duket se është sulur edhe Vodafone Albania për të marrë sa më shumë klientë përmes një praktike të ndaluar nga AKEP disa vite më parë.
AlbEu mëson se abonentët e ONE Albania janë duke u kontaktuar nga Vodafone Albania duke iu kërkuar atyre bartjen e numrit në këtë kompani. AKEP duhet të ndjekë edhe këtë veprim të ndaluar të Vodafone Albania, e cila po shfrytëzon rastin për të përfituar sa më shumë në një situatë ku ata që dëmtohen të parët janë përdoruesit e telefonisë celulare.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) është informuar nga operatori One Albania sh.a. për procesin teknik të migrimit të numrave celularë nga rrjeti i Albtelecom në rrjetin e sipërmarrësit One Albania sh.a. i cili do të kryhet në datën 1 Prill 2023, ora 01:00 e mëngjesit.
Për t’u njohur me problematikat e mundshme teknike të procesit dhe për t’i kapërcyer ato, AKEP fton pajtimtarët dhe publikun e gjerë të jenë të vëmendshëm kundrejt njoftimeve individuale të dërguara nga shoqëria One Albania sh.a nëpërmjet mjeteve të qëndrueshme (sms, email, etj.). dhe ndaj lajmërimeve të shoqërisë në ëebsite-n dhe rrjetet e saj sociale, si dhe në median audiovizuale. /AlbEu.com
ONE Albania kaos me abonentet