Olaf Scholz: Veç Ballkanit Perëndimor në BE edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia

Kancelari Scholz kërkon reforma radikale në mënyrë që veç Ballkanit Perëndimor në BE të hyjnë dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

Gjatë një fjalimi në Universitetin e Pragës kancelari gjerman, Olaf Scholz, u shpreh për një riorganizim të Bashkimit Evropian. Si pasojë e luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, BE-ja duhet të bëhet shumë më e fortë dhe më e pavarur ekonomikisht, tha kancelari. Një Evropë e bashkuar është halë në sy për presidentin rus Vladimir Putin.

Scholz: Nëse është e nevojshme duhen ndryshuar traktatet e BE-së

Kancelari tha është i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, në të cilin duhet të përfshihen jo vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe në të ardhmen, edhe Gjeorgjia.

Për të realizuar këtë BE ka nevojë për rregulla të reja. “Rregullat evropiane mund të ndryshohen,” tha kancelari, “nëse arrijmë në përfundimin se traktatet e BE-së duhet të përshtaten dhe ndryshohen në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara, atëherë ne duhet ta bëjmë këtë.”

Scholz u shpreh pro kalimit gradualisht nga vendimet njëzëri drejt vendimeve me shumicë në fusha të ndryshme të politikave të përbashkëta, si në politikën e jashtme apo politikën tatimore. “Respektimi i parimit të unanimitetit funksionon vetëm për sa kohë që ka pak presion për të vepruar. Po gjendja dhe kohët kanë ndryshuar”, tha kancelari.

Sistem i përbashkët mbrojtjeje

Si pasojë e luftës në Ukrainë, kancelari Scholz u shpreh edhe për një politikë të përbashkët mbrojtjeje në BE. Ai tha se duhej të zhvillohen sisteme të përbashkëta armësh, në të cilat mund të stërviten të gjithë ushtarët e vendeve anëtare dhe të cilat mund të mirëmbahen më mirë.

Në mënyrë të veçantë kancelari Scholz u shpreh në favor të një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore, i cili do të ishte “më i lirë dhe më efikas” se zgjidhjet e secilit vend më vete dhe që në të njëjtën kohë do ishte një “fitim në fushën e sigurisë për të gjithë Evropën”./DW


Shtuar 30.08.2022 08:35