OKB ngre alarmin: Lufta Rusi – Ukrainë mund të përshkallëzojë pasigurinë ushqimore në të gjithë botën

Konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë mund të duket shumë i largët për shumë njerëz, por Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se lufta, dhe kufizimet në importet ruse, tani mund të kenë pasoja të rëndësishme të sigurisë ushqimore në mbarë botën.

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i grurit, dhe Ukraina është e pesta më e madhe. Së bashku, ato sigurojnë 19% të furnizimeve të elbit në botë, 14% të grurit dhe 4% të misrit.

Qu Dongyu, drejtori i përgjithshëm i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë në OKB, thotë se ndërprerjet dhe sanksionet mund të kenë një ndikim veçanërisht të madh në 50 vende që varen nga Rusia dhe Ukraina për të paktën 30% të furnizimit të tyre me grurë.

Këto janë kryesisht vende me të ardhura të ulëta dhe me mungesë ushqimi në Afrikën Veriore, Azi dhe Lindjen e Afërt.

Ndërkohë, shumë vende evropiane dhe të Azisë Qendrore mbështeten te Rusia për gjysmën e furnizimit të tyre me plehra dhe OKB paralajmëron se mungesat mund të vazhdojnë deri në vitin 2023.

Kjo vjen në një kohë kur çmimet e ushqimeve janë tashmë në rritje, pasi kanë arritur një maksimum historik në shkurt 2022.

Me ndërprerjen shtesë në Ukrainë dhe Rusi vjen paralajmërimi i mëposhtëm nga z. Dongyu: “Ndërprerjet e mundshme në aktivitetet bujqësore të këtyre dy eksportuesve kryesorë të mallrave bazë mund të përshkallëzojnë seriozisht pasigurinë ushqimore globalisht, kur çmimet ndërkombëtare të ushqimit dhe inputeve janë tashmë të larta dhe të paqëndrueshme.

“Konflikti gjithashtu mund të kufizojë prodhimin bujqësor dhe fuqinë blerëse në Ukrainë, duke çuar në rritjen e pasigurisë ushqimore”.

Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar atyre që varen nga Rusia dhe Ukraina që tani të kërkojnë furnizues alternativë për të “thithur tronditjen” e ndërprerjes./albeu.com


Shtuar 15.03.2022 10:44